E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, trafik droge me ambulancë

Autoambulanca ku transportohej kanabisi

Pranga dhe 6 të tjerëve. Policia: Hetuam dy muaj, droga kishte destinacion Malin e Zi.

Arrestohet polici i FNSH-së. Me uniformë, shoqëronte kanabisin.

Drogë nga Shkodra në drejtim të Malit të Zi me autoambulancë. Shtatë persona u arrestuan, mes tyre një efektiv i FNSH-së Shkodër, si dhe shoferi i autoambulancës së qendrës shëndetësore të Laçit, Vau i Dejës. Ka qenë një operacion i mirëorganizuar i Policisë së Shkodrës që, pas një hetimi intensiv prej 2 muajsh, është konkretizuar me bllokimin e 200 kg kanabis. Droga u bllokua në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur Melgushë, gjatë operacionit të koduar “Furtuna”. Gjatë këtij operacioni antidrogë të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit u arrestuan në flagrancë shtatë trafikantët. Ndaj të arrestuarve rëndon akuza e “trafikut të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë bëhet e ditur se në pranga kanë rënë: Kujtim Çuni, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër; Zef Paloka, 52 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës (shoferi i ambulancës); Tish Pali, 44 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi, Shkodër; Tom Zhuri, 35 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, komuna Rrethina; Anton Lumi, 21 vjeç, banues në fshatin Rrenc, komuna Guri i Zi; Gjon Bregu, banues në fshatin Naraç, komuna Gur i Zi si dhe Françesk Çuni, banues në lagjen Kiras, Shkodër. Lënda narkotike në një sasi prej rreth 200 kg kanabis sativa ishte e paketuar në thasë në gjendje të tharë, të cilët ishin vendosur brenda autoambulancës me targa SHE 096 D. Ndonëse mjeti ishte në përdorim të qendrës shëndetësore të Vaut të Dejës, shoferi ka mundur ta marrë atë dhe ta shfrytëzojë për trafikun e lëndës narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se nisur nga informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet që të arrestuarit dhe bashkëpunëtori i tyre transportonin lëndën narkotike me autoambulancën me targa SHE 096 D, për të mos rënë në sy me destinacion shtetin fqinj, Malin e Zi. Mësohet se punonjësi i FNSH-së ishte më uniformë dhe i ulur në autoambulancë. Prania e tij do të mundësonte udhëtimin e lirshëm të makinës me drogë, e cila nga hetimet e kryera rezulton se do të kalonte drejt Malit të Zi. Gjithashtu po punohet për të hetuar akoma edhe më shumë në lidhje me burimin e furnizimit me lëndën narkotike, si dhe implikimin e personave të tjerë në këtë rrjet. Menjëherë pas bllokimit të drogës, policia ka ushtruar kontroll në banesat e të arrestuarve dhe ka bllokuar aty dy armë gjysmëautomatike model 56, një shotgun dhe krehra me 230 fishekë automatiku, model 56. Prej 2 muajsh ky grup kriminal është mbajtur nën mbikëqyrje, pasi në rrugë operative ishte mësuar mbi aktivitetin kriminal të tyre. Këta persona jetonin në fshatrat kufi me zona të thella malore, ku realizohej kultivimi i lëndëve narkotike. Pasi kanë arritur ta mbledhin e ta ambalazhojnë në thasë plastikë e kanë ngarkuar në autoambulancën, e cila shoqërohej nga efektivi i FNSH-së për të mos rënë në sy të policisë. Pritet që pas dëshmive të personave të ndaluar të bëhet dhe zbardhja e linjës së trafikut dhe si do të bëhej kalimi i drogës për në tokën malazeze.

Hetime mbi policin për zonat e drogës
Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër bëjnë të ditur se ndaj efektivit të FNSH-se, Kujtim Çuni, do hetohet dhe për ndonjë dekonspirim të mundshëm informacioni të mëparshëm. Kjo, nisur nga fakti që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë gjatë sezonit të kultivimit të kanabisit në zonat e thella malore të qarkut Shkodër kanë ndërhyrë me aksione konkrete në asgjësimin e bimëve narkotike dhe ndalimin e kultivuesve. Sipas Policisë, po verifikohet nëse ai ka dekonspiruar ndonjë aksion të Antidrogës.

Të arrestuar
Kujtim Çuni,

efektiv i FNSH-së
Zef Paloka,
shoferi i ambulancës
Tish Pali
Tom Zhuri
Anton Lumi
Gjon Bregu
Françesk Çuni

Fier: Si u kap droga në makinën e spitalit
Policia e Durrësit bllokoi në qershor të vitit 2006 një autoambulancë të spitalit të Fierit me 173 kg kanabis brenda saj. Sipas Policisë së Durrësit, pronari i drogës ishte Ahmet Isufaj. Bllokimi i makinës së spitalit u bë më 6 qershor 2006, në autostradën Durrës-Tiranë. Të dy këta persona u shpallën në kërkim nga policia, pasi mundën të largoheshin vetëm pak minuta para se forcat e rendit të sekuestronin lëndën narkotike.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›