E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja për plagosjen, burri masakron ish-gruan

Hyrie Bruka, pasi plagosi burrin në gusht 2011 në Kamzë

Krimi në familje, vëllai i gruas plagos me thikë autorin, mbrojti motrën.

Qazim Bruka qëllon 7 herë me thikë nënën e katër fëmijëve.

Një burrë e një grua mbetën të plagosur rëndë dje në Kamzë nga një krim në familje. Ngjarja duket se ka qenë një hakmarrje e burrit ndaj gruas, e cila tentoi ta vriste të shoqin me sëpatë tetë muaj më parë. Dje, Qazim Bruka plagosi me shtatë thika në kokë nënën e katër fëmijëve me të cilën jetonte ndarazi prej disa muajsh. Ai mbeti edhe vetë i plagosur rëndë, pasi u sulmua nga vëllai i ish-gruas, i cili për të mbrojtur motrën, qëlloi disa herë me thikë dhëndrin. Bashkëshortët mbetën të plagosur rëndë, ndërsa policia arrestoi në flagrancë njërin prej autorëve dhe autorit tjetër i komunikoi akuzën në Spitalin Ushtarak, ku po merr mjekimin. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 08:00 të mëngjesit, në rrugën “Teuta”, në Kamzë të Tiranës. Në atë moment, Hyrie Bruka, sapo kishte dalë nga shtëpia e të afërmve të saj dhe do të shkonte në punë. Ndërsa i shoqi, Qazim Bruka, i kishte zënë pritë dhe sapo është përballur me të, e ka sulmuar duke e goditur shtatë herë me thikë në kokë e në qafë. Protagonist i ngjarjes së rëndë është bërë edhe vëllai i së plagosurës, Hekuran Bici, i cili kur ka parë të motrën të gjakosur, është përleshur me dhëndrin. Pasi i ka rrëmbyer thikën nga dora, e ka goditur disa herë në trup, duke e lënë edhe atë të plagosur rëndë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se arrestuan në flagrancë njërin prej autorëve të ngjarjes, Hekuran Bici, me akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”, ndërsa për shkak të plagëve që kishte marrë nga goditjet me thikë, i komunikoi akuzën “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” autorit tjetër, Qazim Bruka. Sipas mjekëve, 31-vjeçarja Bruka ka plagë serioze në kokë, madje njëri sy i është verbuar, por është jashtë rrezikut për jetën.
HETIMI
Burime nga grupi hetimor i seksionit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit thanë se krimi i djeshëm në familje ka si motiv hakmarrjen ndaj tentativës së vrasjes së kryer në muajin gusht të vitit të kaluar, ku Hyrie Bruka plagosi rëndë me sëpatë të shoqin, Qazim Bruka. Ky i fundit qëndroi për disa ditë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak nga plagët e rënda që i kishte shkaktuar goditja me sëpatë në kokë. Zanafilla e konfliktit mes dy bashkëshortëve daton më 9 gusht të vitit 2011, kur Hyrie Bruka tentoi të vriste të shoqin, i cili ishte në gjumë e më pas, bashkë me katër fëmijët e mitur, u vetëdorëzua në Komisariatin Nr. 3 të Tiranës. Ngjarja ndodhi në afërsi të ish-kombinatit “Josif Pashko” në Tiranë, në banesën ku çifti nga Kukësi jetonte prej disa muajsh me qira. Nëna 31-vjeçare është vetëdorëzuar në polici tri orë pas krimit, duke menduar se e kishte vrarë të shoqin. Por, pasi policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se Qazim Bruka kishte ende shenja jete dhe pas dy ditësh në koma ai ka arritur të mbijetojë. Gjatë deklarimeve të saj, ajo është shprehur se ngjarja ka ndodhur në debat e sipër, pasi i shoqi ishte xheloz për të dhe e kishte rrahur. Nga provat e gjetura në vendin e ngjarjes policia ka arritur në konkluzionin se Qazim Bruka ishte plagosur kur ishte në gjumë. Pas seancës së marrjes në pyetje, Hyrie Bruka u lirua duke u proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkak se nuk kishte kush të kujdesej për katër fëmijët e saj të mitur.

9 gusht 2011
Pas plagosjes së të shoqit me sëpatë më 9 gusht 2011, Hyrie Bruka u hetua në gjendje të lirë nga policia. Vetëm disa orë pasi kishte ndodhur ngjarja, në një intervistë për gazetën “Panorama” ajo u shpreh se qëllimi i saj ishte ta vriste të shoqin, pavarësisht se ai mbijetoi. Ajo shpjegoi arsyet pse kishte tentuar vrasjen e të shoqit dhe si ka vepruar hap pas hapi pasi e ka goditur me sëpatë. “Ai ushtronte vazhdimisht dhunë fizike ndaj meje. Bëhej xheloz dhe na linte pa ngrënë mua dhe fëmijët. Nuk po e duroja më këtë gjendje dhe vendosa ta qëlloja me sëpatë. E godita në kokë për ta vrarë, por ai shpëtoi”, u shpreh 31-vjeçarja Bruka për gazetën, disa orë pasi kishte dalë nga komisariati i policisë.

Gjykata
Çështja penale në ngarkim të Hyrie Brukës, e cila në gusht të vitit të kaluar plagosi me sëpatë të shoqin, Qazim Bruka, ka shkuar për gjykim në Gjykatën e Tiranës që në muajin dhjetor të vitit 2011. Ajo akuzohet për “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike” e mbetur në tentativë. Nëna 31-vjeçare u hetua në gjendje të lirë nga prokuroria, duke u paraqitur pranë organit të akuzës si e dyshuar në rastet kur i kërkohej. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës, të datës 9 shkurt 2011, thuhej se “pas një konflikti brenda ambienteve familjare, shtetasja Hyrie Bruka, 31 vjeçe, ka goditur me armë të ftohtë (sëpatë) bashkëshortin.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›