E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër: Digjen mbeturinat urbane, qyteti mbulohet nga tymi

13/08/2010 Përsëritet i njëjti problem i një viti më parë, banorët kërkojnë zgjidhje

GJIROKASTËR - Qyteti i Gjirokastrës është mbuluar dje nga tymi pas një zjarri të madh që ra në vendin ku grumbullohen mbeturinat urbane, rreth 500 metra larg lagjes "Kodra e Shtufit". Burime zyrtare nga Bashkia e Gjirokastrës pohuan për gazetën “Metropol” se tymi është përhapur në të gjithë qytetin dhe pas ndërhyrjes së zjarrfikësve situata është normalizuar gjatë mesditës. "Do të merren masat për të larguar përgjithmonë mbeturinat urbane, që grumbullohen pranë qytetit të Gjirokastrës", - u shprehën punonjës të bashkisë në qytetin jugor. Mësohet se shefi i zyrës rajonale të OSBE-së në Gjirokastër, Milan Bito, është takuar dje me kryebashkiakun e qytetit Flamur Bime, me qëllim eliminimin e këtij fenomeni, si dhe dhënien përpara drejtësisë të shkaktarëve që ndotën mjedisin. "Edhe vitin e kaluar patëm të njëjtin situatë, por institucionet përkatëse garantuan se gjithçka do të sistemohej dhe smogu do të largohej", - tha Besnik Rrapi, banor i Gjirokastrës. Megjithatë, duket se zgjidhja nuk do të jetë e shpejtë për këtë qytet, pasi vetëm zgjidhja me përpunimin e mbetjeve në teknologjinë më të fundit të landfilleve do të jetë shpresë për këtë qytet. Ndërsa tymrat e përhapura kanë shtuar dhe më shumë shpërndarjen e lëndëve kancerogjene, të cilat qarkullojnë si pasojë e djegies së mbetjeve të ndryshme. Megjithatë, duket se zjarrfikësit do të qëndrojnë në gatishmëri për këtë zonë për të mos lejuar rikthimin e situatës. Aq më shumë kur “vizitorët” për kanaçe apo mbetjeve të tjera të riciklueshme bëjnë që rikthimi i zjarrit të jetë edhe më prezent.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›