Gjirokastër, Meta: Dialogu nuk është i pamundur

Ilir Meta në Gjirokaster
Ngritja e Gjykatës Administrative ishte e vonuar, por më mirë vonë se kurrë, ka deklaruar nga Gjirokastra kreu i LSI, Ilir Meta. Sipas tij, konsensusi politik për ngritjen e Gjykatës Administrative, duhet përshëndetur, për ti shërbyer interesave të biznesit.
Meta u shpreh se zhvillimet politike, kërkojnë më shumë dashuri, edhe nëse kjo do të jetë e vështirë, të paktën dialogu nuk është i pamundur. Është mirë që Shqipëria të hedhë atë hap që duhet ta kishte hedhur prej 2-3 vitesh, atë të marrjes së statusit të vendit kandidat për BE, sepse i vetmi problem ka qenë mungesa e dialogut politik dhe disa reformave që kanë në bazë këtë dialog, pasi në kriteret e tjera vendi ynë i ka plotësuar, dhe mendoj se të gjitha ato kërkesa që janë vendosur nga ana e Komisionit Europian janë të drejta, u shpreh Meta.
Ky i fundit, shoqërohej nga deputeti i mazhorancës qeverisëse i Gjirokastrës, Vangjel Tavo, i cili theksoi se LSI, e ka të qartë politikën e vet integruese dhe kjo forcë politike do të kontribuojë që Shqipëria të eci përpara në rrugën europiane.
Deklaratat e dy drejtuesve të lartë të LSI, u bënë gjatë një takimi me të rinjtë e kësaj force politike në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, në Ditën e Pranverës.
Piro Nase