E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, OJQ afrohen pranë personave me aftësi të kufizuar

Kategorisë së personave me aftësi të kufizuar, po u kushtohet një rëndësi nga ana e OJQ-ve të ndryshme që veprojnë jo vetëm në jug të vendit, por edhe ato të akredituara në vendin tonë. Rasti më tipik është angazhimi i Shoqatës Humanitare Dora e Ngrohtë me qendër në Tepelenë ku drejtuesi Gjon Dervishi prej mëse dy vjetësh, ka krijuar një ambient për trajnimin ditor të 32 personave me aftësi të kufizuar. Për të përcaktuar prioritetet e reja për këtë kategori njerëzish me aftësi të kufizuar që jetojnë në rajonin e Gjirokastrës, sot në Tepelenë, është organizuar një tryezë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e aktorëve relevantë që mund të kontribuojnë në mbështetjen jo vetëm morale të kësaj kategorie njerëzish. Në këtë tubim ku pjesëmarrës përveç donatorëve të së vetmes qendër për trajnimin e personave me aftësi të kufizuar, ka marrë pjesë edhe kreu i Zyrës së Prezencës së OSBE në jug të vendit Milan Bitto. Ky i fundit, ka vlerësuar ndërmarrjen e iniciativave të tilla nga qendra Dora e Ngrohtë e cila është unikalja në jug të vendit që u vjen në ndihmë kësaj kategorie njerëzish të veçuar nga shoqëria e sotme. Jo vetëm mekanizmat shtetërore por edhe ato nga OJQ-të e ndryshme apo dhe shoqëria civile duhet të jetë suportuese e projekteve që kanë synim të mbështesin integrimin e kësaj shtrese në shoqërinë e sotme shqiptare-është shprehur zoti Bitto. Ndërsa kreu i qendrës së trajnimit të personave me aftësi të kufizuar Dora e Ngrohtë Gjon Dervishi, ka kërkuar më tepër vëmendje për mbështetjen e këtyre njerëzve që të vetmin argëtim kanë kalimin e orëve të paradites dhe mesditës në këtë qendër nën kujdesin e kujdestareve. Qendra Dora e Ngrohtë funksionon prej dy vjetësh në Tepelenë ku janë frekuentues rreth 32 persona me aftësi të kufizuar të moshave dhe sekseve të ndryshme. Donacionet e ndryshme kryesisht ato ndërkombëtare, janë thelbësore në mbarëvajtjen e kësaj qendre e cila deri më tani ka funksionuar pa asnjë asistencë shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›