Mos i beso kurrë një ujku, përralla që përcillet me akrobaci
Mos i beso kurrë një ujku është premiera më e re e Cirkut të Metropolit, e cila po shpërblehet me duartrokitjet e publikut gjatë ditëve të shfaqjes së saj në arenën e cirkut. Për fëmijët, kjo shfaqje cirku vjen e përzier me baletin, danc-teatrin e muzikhollin. Shfaqja ka dramaturgji letrare, mbi bazën e së cilës përshtatet gjithë teknologjia artistike dhe mjetet shprehëse. E konceptuar në një formë të veçantë si regjisor, libretist dhe koreograf në këtë shfaqje vjen Llaqi Nako, formulimi muzikor mban firmën e Saimir Çilit, ndërsa kostumografia i përket Zana Bodinakut.
Në eksperimentim për këtë shfaqje të re është marrë fabula e përrallës Kecat dhe Ujku. Regjisori Llaqi Nako ka vënë dorë me shumë kujdes në përmbajtje, pa cenuar moralin që ajo përcjell. Mbi këtë motiv është bërë edhe ndryshimi i titullit. Autori është përpjekur që ta përshtatë në specifiken që ka zhanri i cirkut. Ashtu siç e kanë ndërtuar gjithçka është e përligjur nga ana ideore dhe artistike. Themi ideore dhe artistike për faktin se shfaqja ka dramaturgji letrare mbi bazën e së cilës përshtatet gjithë teknologjia artistike dhe mjetet shprehëse. E gjitha kjo ilustrohet me një muzikë të përzgjedhur, jo e shkruar enkas që do të ishte idealja, por e përshtatur me të gjithë zhvillimin dramaturgjik të veprës, bëhet e ditur nga zyra e shtypit. Në këtë shfaqje marrin pjesë dy trupa artistike si : Ansambli i Fëmijëve Spekter dhe studio e Cirkut të Metropolit. E veçanta është harmonizimi i disa gjinive të artit skenik si: baleti, dac-teatri, muzikholl, pantonima, dhe akrobacia ku brenda së cilës përfshihen disa profile: si numra plastik, xhonglerim, dinamikë etj. Kjo akrobaci nuk vjen me një renditje skematike, por si një ilustrim i ngjarjes në mënyrë shumë të natyrshme. E veçanta e dytë e shfaqjes është në faktin se nga fillimi i saj deri në fund ndodhemi në botën e kafshëve. Janë kafshët ato që veprojnë, flasin, kërcejnë, këndojnë, performojnë akrobaci, sepse jemi në një përrallë, në mes të pyllit, por gjithsesi nën kupolën e çadrës së cirkut. Sjellja në skenë me nota kaq reale të atmosferës së pyllit i dedikohet edhe punës së kostumografes Zana Bodinaku. Baza, për nga pikëpamja e vlerave janë performancat e Studios së Cirkut të Metropolit me të cilët kanë punuar pedagogët : Silvana Dumi dhe Agron Muho si dhe Mjeshtërit e Cirkut: Kujtim Dumi e Sokrat Buzo, pohojnë drejtues të Cirkut të Metropolit. Por nuk do të jetë vetëm publiku i kryeqytetit i cili po shijon këtë shfaqje. Nga Cirku i Metropolit bëhet e ditur se tashmë një pjesë e artistëve të tij kanë nisur dhe aktivitetin në qytetet më kryesore të vendit, ku për shumë kohë nuk janë shfaqur shfaqje të tilla. Cirku i Metropolit ka nisur aktivitetin e tij në fillim të vitit 2008, ndërkohë që ai është pjesë e Qendrës Kulturore Tirana, e themeluar në vitin 2005. Premiera Mos i beso kurrë një ujku vjen çdo fundjavë për publikun.
Last Updated on Friday, 24 April 2009 18:47
Last Updated on Friday, 24 April 2009 18:47