E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, PS: Debatet brenda partisë, jo në media

Anëtarët e këshillit socialist të Gjirokastrës mbështesin punën e deritanishme të Edi Ramës


Gjirokastër - Kërkesa e dy prej anëtarëve të kryesisë së PS-së, Ben Blushi dhe Arben Malaj, për largimin e Ramës nga posti i kryetarit, ka sjellë edhe reagimin e bazës në disa degë kryesore të PS-së në rrethe. 13 anëtarët e Këshillit Socialist të rrethit të Gjirokastrës janë shprehur dje kundër dorëheqjes së kryetarit aktual të Partisë Socialiste, Edi Rama.


Sekretari i Partisë Socialiste për rrethin e Gjirokastrës, Arben Gushi, gjatë një konference shtypi, që u organizua dje në ambientet e kësaj force politike, ka deklaruar se, 13 anëtarët e këtij këshilli kanë aprovuar një ditë më parë, në mënyrë unanime, një rezolutë me pesë pika, ku evidentohet mbështetja e plotë për kryetarin aktual, Edi Rama.


"Pavarësisht zërave të parakohshëm, që janë pjesë e trupit të udhëheqjes së PS-së, debatet duhet të bëhen pjesë e dialogut brenda institucioneve partiake dhe jo pjesë e medias, pa harruar e lënë pas dore bazën, që ju pret për t'ju dëgjuar e për ta dëgjuar",- është shprehur Arben Gushi teksa i referohej rezolutës.


Sipas tij, koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" ka fituar bindshëm në rrethin e Gjirokastrës dhe për këtë fitore ka rol edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›