Lohan: Zgjedhjet? Pres rezultatin përfundimtar
Ambasadori i Komisionit Evropian s'jep koment për procesin. "Di po aq sa edhe ju për procesin"
TIRANË- Ndryshe nga nxitimi i Kryeministrit Sali Berisha për të shpallur fitoren e
koalicionit të djathtë "Aleanca e Ndryshimit", ndërkombëtarët vijojnë t'i mëshojnë faktit se janë në pritje të rezultatit përfundimtar për të dhënë edhe vlerësimet e tyre për këtë proces zgjedhor. Këtë gjë ka paralajmëruar dje edhe shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.
Pas përfundimit të projektit "Drejtimi Human i Burgjeve" i organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Ambasadori Lohan është pyetur nga mediat lidhur me procesin zgjedhor, për të cilin, ai është shprehur tepër i rezervuar, duke deklaruar se është në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
"Jam duke pritur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Unë di po aq sa dini edhe ju",- tha Lohan në deklaratën e tij. Deklarata e tij lë të kuptohet qartë se Komisioni Evropian nuk kërkon të dalë në përfundime paraprake, ashtu sikurse bëjnë drejtues të forcave politike në Shqipëri, e në veçanti Kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili, pak ditë më parë, përmes një konference për shtyp, jo vetëm që vetëshpalli fitoren e tij, por mori përsipër të analizonte edhe procesin zgjedhor, duke shtuar se u arritën edhe standardet e kërkuara.
I vetmi reagim zyrtar deri më tash nga të huajt, lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, është pikërisht ai i OSBE/ODIHR-it. Një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve, vëzhguesit raportuan për një sërë parregullsish, duke paralajmëruar se këto zgjedhje nuk përmbushen standardet e kërkuara.