E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër; Taksistët refuzojnë taksimetrat

Taksistët e Gjirokastrës duket se janë të painteresuar për t'u pajisur me taksimetra, një aparaturë e domosdoshme për matjen e kostos së udhëtimit me taksi.

"Këto aparatura kanë mbërritur prej 6 muajsh pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, por janë tërhequr vetëm nga 2 prej 60 taksistëve të licencuar që ushtrojnë aktivitetin në këtë qytet", - tha dje inspektori i kësaj drejtorie, Anastas Sotiri. Sipas tij, interesi i taksistëve ka qenë tepër i ulët, ndërkohë që edhe vonesat në miratimin e taksave dhe tarifave për këtë shërbim nga bashkia e qytetit është një tjetër arsye për të cilën taksistët ushtrojnë aktivitetin pa taksimetër.

”Me miratimin e tarifave nga Këshilli Bashkiak dhe zbardhjen e vendimit mendohet se në fillimin e vitit 2009, që nënkupton edhe rilicencimin e taksive, kjo çështje do të mbyllet, pasi në të kundërt, - theksoi z. Sotiri, - do të zbatohen sanksionet ligjore”.

Nga ana e tyre, taksistët kanë ngritur si pretendim çmimin e lartë të blerjes së taksimetrave, të cilët kushtojnë 350 euro.

Vendosja e taksimetrave, së bashku me kontrollin fizik të automjeteve, përbëjnë dy prej kushteve kryesore për licencimin e taksive.

Studimi

20% e nxënësve në shkollat e mesme janë obezë

Rreth 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbipeshë, tregojnë të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa tek femrat, kjo shifër shkon deri 26%. "Studimi në qytetin e Tiranës tregon se për mosha mbi 55 vjeç mbipesha është në 28.6 %", - thanë dje burime nga MSH-ja.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka ndërmarrë së fundmi një studim në shkallë vendi për matjen e treguesve të shkallës së mbipeshës apo obezitetit.

MSH-ja konsideron se në këtë drejtim edukimi i popullatës është i domosdoshëm. "Ne si vend jemi tamam në kohë për të punuar për informimin, edukimin e popullsisë për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme", - thanë burimet. Sipas tyre, "një nga qëllimet kryesore për sa i përket politikës që do të ndiqet, është të ndihmohet popullata për të bërë zgjedhjen e një mënyre ushqyerjeje të shëndetshme".

"Programet e informimit do të krijojnë mundësinë që njerëzit të jenë në gjendje të njohin dhe të bëjnë zgjedhjen e shëndetshme të ushqyerjes", - thanë burimet, sipas të cilëve, nevojitet informacion i bollshëm në lidhje me ushqyerjen e shëndetshme, dietën dhe zakonet në ushqyerje. MSH-ja thekson se "gjithsesi, është në dorën e popullsisë, të secilit individ, të të gjitha familjeve, shoqërisë për të ndalur apo jo këtë epidemi të re të shek. XXI".

Organizata Botërore e Shëndetësisë ishte e para që me raportin e saj të vitit 2002, "Strategjia globale për dietën, veprimtarinë fizike dhe shëndetin", reagoi fuqishëm ndaj shtimit të rreziqeve për shëndetin dhe të sëmundshmërisë kronike të lidhur me to.

Në vendin tonë, në kuadër të përpjekjeve botërore, u ngrit grupi i punës, i përbërë nga specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të Arsimit dhe Shkencës, Qendrës Ekonomike të Edukimit dhe Zhvillimit të Fëmijëve në Bashkinë e Tiranës, si dhe Institutit të Shëndetit Publik e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë. Grupi i punës ka përgatitur dhe Draft-udhëzuesin Dietetik apo rekomandime për ushqyerjen e shëndetshme në Shqipëri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›