E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, deficiti tregtar rritet me 0.4 për qind në shtator

Në muajin shtator të vitit 2008 u eksportuan 10,562 milionë lekë mallra, me rritje 36.4 për qind në krahasim me muajin gusht të 2008 dhe rritje me 27 për qind në krahasim me muajin shtator 2007. U importuan 36,425 milionë lekë mallra me rritje 2.5 për qind në krahasim me muajin gusht 2008 dhe rritje 6.9 për qind në krahasim me muajin shtator të 2007. Deficiti tregtar i këtij muaji është 25,863 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 7 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 66.7 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 65 për qind dhe importi 26.9 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 7.5 për qind dhe importi 16.4 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: Për eksportin: Austria, Greqia, Italia, Maqedonia, Spanja etj. dhe për importin: Gjermania, Italia, Kroacia, Spanja, Turqia etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon që ka një rritje në eksportin e disa grupeve.

Eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 6.8 herë, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 79 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 46.5 për qind, etj. Ndërsa eksporti i grupit “Prodhime druri dhe letre” u ul 7 për qind. Importi i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 36.1 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 34 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 14.8 për qind, etj. Ndërsa importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 21 për qind, etj. Në muajin shtator 2008, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 5,350 milion lekë, duke zënë 14.7 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me gushtin e 2008-ës, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 15.7 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës (74.9 për qind).

METE, qeveria miraton rishpërndarjen e fondeve të buxhetit 2008

Qeveria ka miratuar dje vendimin për rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2008 për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Sipas këtij vendimi,

fondet do të ndahen: Programit “Mbështetje për minierat dhe ndërmarrjet publike”, zëri “Shpenzime kapitale, të brendshme”, t’i shtohet fondi 21 000 000 (njëzet e një milionë) lekë. Për programin “Mbështetje për mbikëqyrjen e tregut dhe infrastrukturën e cilësisë”, zëri “Shpenzime kapitale, të brendshme, t’i shtohet fondi 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

Për programin “Mbështetje për zhvillim ekonomik”, zëri “Shpenzime kapitale, të brendshme”, t’i pakësohet fondi 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekë, si shumë e fondeve të përcaktuara në shkronjat “a” e “b”, të pikës 1 të këtij vendimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›