Gjirokastër, arrestohen dy studentë për vjedhje

Pamje nga Universiteti i Gjirokastres
Dy studentë të Universitetit të Gjirokastrës, arrestohen për vjedhje me dhunë. Bekim Lekaj, 20 vjeç dhe Eduart Ndocaj, 22 vjec përkatësisht nga Tropoja dhe Lezha, janë autorë të dy grabitjeve të ndodhura muaj më parë. Policia e Gjirokastrës, ka arritur të arrestojë një ditë më parë, dy të rinjtë të cilët studiojnë për ekonomik dhe matematik-fizikë në Universitetin Eqrem Çabej në Gjirokastër.
Katër muaj më parë, dy të rinjtë në orët e mëngjesit të 3 dhjetorit të vitit të kaluar, të mbuluar me maska, kanë hyrë nëpërmjet derës së ballkonit në banesën e shtetas M.Ç, në lagjen Granicë në katin e dytë të një pallati dhe pasi e kanë dhunuar fizikisht 36- vjecaren, mundën ti grabisnin tre unaza dhe një varëse ari, si dhe tre telefona celularë. Për zëdhënësin e Policisë së Gjirokastrës Gentijan Mullai, zbulimi i kësaj ngjarjeje, erdhi si rezultat i një pune profesionale dhe hetimore, gjurmuese dhe zbuluese, të kryer nga ana e sektorëve përgjegjës të Policisë së Gjirokastrës, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimit në bashkëpunim të ngushtë me organin e akuzës. Njëri prej të arrestuarve, Bekim Lekaj, krahas bashkëpunimit në grabitjen e sendeve të çmuara, rezulton të jetë autor edhe i vjedhjes së mencës së konviktit të studentëve të Universitetit Eqerem Çabej, ngjarje e ndodhur fiks një vit më parë.
Sendet e grabitura ishin oriz, vaj, fasule, si dhe cigare. Materialet në ngarkim të dy studentëve, i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ndërkohë që mbi ta rëndon vepra penale e vjedhjes me dhunë kryer në bashkëpunim.
Piro Nase