E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumfi i realizmit politik të opozitës

Damian Gjiknuri

Përfundimi i grevës së urisë dhe procesi i negocimit i iniciuar në Strasburg, ka ngjallur natyrshëm debate në lidhje me racionalitetin politik të opozitës dhe pritshmërinë që ka publiku i gjerë nga ky proces. Askush nuk mund ta mohojë që jemi përpara një momenti kulmor, që meriton vlerësim objektiv, pavarësisht “duhanit politik” që pi gjithsecili që merr përsipër të komentojë këtë çështje, përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi.
Takimi i Strasburgut hapi siparin e një mundësie të re për zgjidhjen e krizës politike, që ka mbërthyer vendin pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. Pavarësisht se marrëveshja e shumëpritur nuk u arrit, vetë fakti i një investimi kaq të madh të diplomacisë evropiane në nivelet më të larta që ka parë ndonjëherë ky vend, flet qartë për dimensionin ndërkombëtar që ka marrë nevoja për zgjidhjen e krizës. Për të mos folur për interesimin ndërkombëtar deri në detaje, që askush më parë nuk denjonte t’i dëgjonte nga aktorët politikë shqiptarë. E thënë më shkoqur, ky interesim në asimetri me peshën relative që zë vendi ynë në politikën evropiane, ka shumë gjasa që të prodhojë një zgjidhje të udhëhequr nga ato parime e norma, që janë pjesë integrale e kulturës politike evropiane. Si për ironi, janë po ato norma dhe parime për të cilat opozita shqiptare ka muaj që lufton, dhe që mund t’i përmbledhim si e drejta për transparencë dhe njohje mbi një nga institutet themelore të demokracisë, zgjedhjet. E drejtë, që në këtë rast ushtrohet nëpërmjet të zgjedhurve të sovranit.
Pikërisht për këtë parim themelor opozita filloi një betejë politike dhjetë muaj më parë. Në fillim pak njerëz e morën seriozisht bojkotin e saj, madje e përbuzën si një përpjekje meskine për kontrollin e partisë. Por gjatë kësaj kohe u bënë dëshmitarë të protestave dhe aksioneve popullore nga më të mëdhatë që ka parë ndonjëherë ky vend, të cilat kulmuan me grevën e urisë të një të tretës së deputetëve të saj. Akti sublim i përmasave të tilla shënoi kulmin e aksionit politik apo trysnisë së opozitës, por edhe pikën kthesës, duke nxitur interesin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës si dhe detyruar Qeverinë që të ulet pa kushte në tavolinën e negocimit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që mundëson transparencën. Do të ishte naive edhe për më skeptikun që të mohohej dinamika e ngjarjeve dhe e përshkallëzimit të trysnisë mbi maxhorancën dhe suksesit që ka arritur kjo veprimtari thellësisht politike. Për këdo besoj se janë të freskëta përgjigjet klishe dhe plotë bezdi që dilnin nga goja e liderit të maxhorancës se kutitë nuk preken, apo se çështja e zgjedhjeve është kapitull i mbyllur. Apo më keq akoma, kur opozitës i tregohej grushti i hekurt, duke e kërcënuar se do t’i thyheshin nofullat apo se ishte një klikë punisto-mafioze, që i kishte ditët e numëruara. Për të ardhur sot në pikën ku liderëve të opozitës dhe maxhorancës, dhe vetëm atyre, t’i kërkohet zgjidhja e krizës politike, e cila për të qenë realist, përgjegjësinë kryesore ia shkarkon maxhorancës, pasi ajo ka numrat dhe përgjegjësinë për qeverisje.
Ulja në një tryeze e dy liderëve kryesorë politikë nën mbikëqyrjen aktive të majës së diplomacisë evropiane, pavarësish faktit që nuk na nderon si komb, është dëshmi e gjallë e suksesit të aksionit politik opozitar, pse jo edhe e grevës së urisë, e cila nuk duhet parë e shkëputur nga motivi dhe qëllimi që kishte.
Përtej retorikës së nxehtë dhe pritshmërisë, shpesh edhe spekulative që mund t’i jepte dikush grevës së urisë, ajo në themel kishte realizimin e të drejtës bazë mbi të cilin u ngrit i gjithë ky aksion opozitar, hetimin e zgjedhjeve. Jo më kot simbolika e saj përmblidhej në thirrjen “hap kutitë ose largohu!”. Duke kalkuluar qartë vendosmërinë e opozitës dhe përshkallëzimin politik, Qeveria duket se ka zgjedhur rrugën e parë, atë të mundësimit të hetimit, i cili në çdo rast do të përfshijë edhe kutitë e votimit. Deri në ç’shkallë do të shtrihet ky hetim dhe sa efektiv do të jetë, do të duket në vijim, por asnjë nuk mund të verë më në dyshim faktin që mbi kutitë e votimit do të hidhet dritë, duke përbërë kështu një plotësim të kushtit fillestar të opozitës. Pa dyshim që ky sukses paraprak i dedikohet gjithë aksionit politik të opozitës, që kulmoi me grevën e urisë, pavarësisht nga ndonjë koment cinik apo nga dozat e mosbesimit, për ta paraqitur këtë si një dështim apo më keq akoma, si konspiracion ndërkombëtar për të ndaluar grevën e urisë.
Në fakt, për këdo që kupton se politika është arti i të mundshmes, ndërprerja e grevës së urisë ishte veprimi i duhur për t’i hapur rrugë negocimit për arritjen e kompromisit politik të shumëkërkuar. Pse jo, një tregues i qartë i seriozitetit politik që ka opozita shqiptare përkundër etiketimeve nga kundërshtarët apo edhe nga disa “analistë”, si një forcë pa asnjë strategji politike, destruktive apo milenariste në objektivat e saj.
Investimi ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje që i hap udhë hetimit të plotë të zgjedhjeve dhe efektet që ajo do të sjellë në të ardhmen, janë shërbimi më i mirë që opozita shqiptare dhe lideri i saj po i bëjnë vendit dhe vetes. Pasi vetëm nëpërmjet një procesi të plotë të zbardhjes së asaj që ndodhi në zgjedhjet e kaluara do të mund të hidhet një shtrat i shëndoshë për zgjedhjet e ardhshme, duke i bërë ngjarjet e këtij viti politik një histori të paharrueshme për këdo që do të luajë me institucionin e votës së lirë. Opozita e ka hedhur hapin e saj drejt zgjidhjes, ashtu siç edhe aktorët ndërkombëtarë e kanë dhënë diktumin e tyre. I mbetet zotit Berisha të hedhë hapin e tij të fundit drejt zgjidhjes, pasi çdo vonesë apo dështim në këtë drejtim, e bën atë dhe maxhornacën e tij plotësisht përgjegjëse, duke marrë përsipër edhe faturën, jo më të një darke, por të të gjitha zhvillimeve zinxhir që mund të vijnë nga thellimi i krizës në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›