Gjirokastër, bashkia nuk përballon fondet për strehimin
Gjirokastër- Strehimi vazhdon të mbetet një nga problemet më të mprehta në qytetin e Gjirokastrës. Aktualisht 735 familje rezultojnë të regjistruara si të pastreha pranë zyrës së shërbimeve në bashki, të ndara sipas kategorive. Kështu, familje të pastreha të kategorisë së parë rezultojnë 186 familje ndërsa të kategorisë së dytë 507 të tilla. Sipas informacioneve zyrtare të marra pranë këtij institucioni mësohet se gjendja e të pastrehëve paraqitet kritike, për faktin se shumica e kësaj kategorie rrinë në shtëpi me ish- pronarë, një pjesë e mirë e të cilave ndodhen në gjendje të mjerueshme.
Nisur nga kjo situatë, janë dërguar pranë ministrisë së Punëve Publike kërkesat për ndërtimin e banesave sociale për tri llojet , banesa me qera, banesa me kosto te ulet si dhe truall te pajisur me infrastructure per ta ndertuar vete banesen, duke vënë në dispozicion sheshe ndërtimi të lira. Ndërkaq, megjithëse ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete për këtë çështje, vazhdon procesi i aplikimit të kërkesave, i cili do të vazhdojë derisa të fillojë ndërtimi i këtyre banesave. 180 familje kanë kryer aplikimet e para, prej të cilave 110 kanë dorëzuar edhe dokumentacionin përkatës.
Po sipas të njëjtave burime mësohet se duke qenë se fondet e bashkisë nuk mund ta përballojnë ndërtimin e këtyre llojeve të banesave, e vetmja shpresë për ndryshimin e gjendjes së të pastrehëve në qytetin e Gjirokastrës mbeten shumat e akorduara nga buxheti i shtetit apo edhe të donatorëve të ndryshëm.
I vetmi investim për këtë kategori, u krye në vitet 2006-2007, me ndërtimin e dy pallateve ku u strehuan 40 familje të pastreha të kategorisë së parë.