PS: Program i ri, hartuar nga vetë shqiptarët
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në kuadër të turit të tij, “Dialog me Shqipërinë”, u ndal në një takim me banorë të fshatit Podgorie, në qarkun e Korçës.
Gjatë fjalës së tij përpara fermerëve, Rama shprehu nevojën e ndërtimit të një program të ri, që duhet të jetë instrumenti qeverisës i hartuar nga vetë shqiptarët.
Sipas zyrës së shtypit të PS-së, në takimin e sotëm Rama akuzoi qeverinë, që nuk po bën asgjë për integrimin e Shqipërisë.
"Shqipëria zvarritet. Zvarritet duke e parë Evropën për ditë e më larg, ndërkohë që çdo ditë dëgjon fjalime për Bashkimin Evropian. Ne duam që fjalët t’i kthejmë në vepra, duam që këto dëshira t’i kthejmë në realitet për njerëzit tanë”- tha Rama, duke shtuar se është koha që tashmë të mendohet për hallet e banorëve në qytet dhe në fshat.
Vetëm në këtë mënyrë, sipas Ramës, do të ndërtohet një program, i cili do të jetë zhvillim për fshatin. “Përpara se të jeni socialist e demokrat, ju të gjithë jeni njerëz, që kërkoni të jetoni me dinjitet dhe që keni të njëjtin hall, atë që lidhet me punën.
Në emër të këtij halli dhe detyrimi të përbashkët, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të mos votojmë me sy mbyllur”, iu është drejtuar kreu i opozitës, Edi Rama banorëve të fshatit Podgorie.
Prej disa ditësh Rama vijon turin e tij, duke vizituar fermerët e zonës së Korçës, duke vjelë mendimet e tyre dhe duke premtuar se të gjitha këto mendime do të jenë bazë e një programi kombëtar.