E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2008, Spanja shkon në çerekfinale

 

Spanja dhe Suedia po shkonin drejt barazimit 1-1, rezultat që do t’i mbante të dyja skuadrat në krye të Grupit D, por David Vila, para se gjyqtari kryesor të sinjalizonte përfundimin e ndeshjes, ka shënuar një gol mjaft të rëndësishëm.

Ishte një gol, që e ka kualifikuar Spanjën për në turin çerekfinal të Euro 2008-ës, pasi spanjollët kanë marrë pikët maksimale në 2 ndeshjet e para. “Heroi” i iberikëve ka qenë përsëri sulmuesi i Valencias, i cili këtë herë ka shënuar vetëm një gol, por që ka pasur vlerën e 3 pikëve për ekipin e tij.

Trajneri Aragones i besoi formacionit fitues ndaj Rusisë, ndërsa Suedisë i mungonin të dëmtuarit Vilhelmson dhe Aleksandërson. Pas 15 minutash lojë, Fernando Torres e ka kaluar Spanjën në avantazh, duke shënuar golin e tij të parë në kampionatin europian. E duk sikur Spanja do të dominonte si në ndeshjen me Rusinë, por ZllatanIbrahimoviç ka rikthyer barazpeshën në minutën e 34-t, pasi fitoi dyluftimin me Serxho Ramosin dhe mposhti kapitenin Kasiljas.

Sulmuesi i Interit nuk është në 100% të formës së tij, ndaj në pjesën e dytë ia ka lënë vendin Rozembergut. Në pjesën e pare, Spanja ka bërë një zëvendësim të detyruar. Pujol është dëmtuar dhe vendin e tij e ka zënë Albiol, ndërkohë që në pjesën e dytë, trajneri Aragones ka hedhur në fushë edhe Fabregasin e Kazorlën, duke dashur të shtojë forcën sulmuese të skuadrës së tij.

Suedia, e kënaqur edhe me barazimin, ka provuar me anë të kundërsulmeve, por pa rezultat. Përpjekjet e Spanjës janë konkretizuar në minutat shtesë, kur Vila depërtoi në zonë nga e majta dhe, pasi iu shmang një mbrojtësi, gjuajti saktë, duke vendosur fatin e ndeshjes. David Vila merr përsëri kryesimin në listën e golashënuesve, me 4 gola.

Me këtë fitore, Spanja ka siguruar kualifikimin, pavarësisht se ka për të luajtur edhe me Greqinë, ndërsa Suedia duhet të kalojë me sukses ndeshjen e tretë, atë me Rusinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›