E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, ekspertët e UNESCO inspektojnë punimet restauruese

Një grup ekspertësh të UNESCO kanë inspektuar nga afër ecurinë e zbatimit të projekteve restauruese në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë ditës së djeshme ekspertët e UNESCO kanë parë nga afër punën që po kryhet për kthimin në identitet të banesave të gurta të përfshira në masterplanin restaurues të ndërmarrë në zonën historike të Gjirokastrës. Nëpërmjet fondit me vlerë 1.2 milion USD akorduar nga qeveria shqiptare, UNESCO ka nisur zbatimin e 17 projekteve restauruese në banesat karakteristike në qytetin e gurtë. Gjatë fazës së parë, e cila kap një shifër investimi prej 600 mijë dollarësh amerikanë, do të restaurohen shtëpia e Angonatëve, Kabilatëve, Çeneve, Kikinove, Babametove, Çabej, Gurgai si dhe shtatë objekte në Pazarin Karakteristik të Gjirokastrës. Punimet po realizohen nga firma fituese e tenderit ndërkombëtar, Gen Red. Megjithë kushtet atmosferike të rënduara të këtij dimri në qytetin e Gjirokastrës sërish specialistët restaurues u kanë pohuar ekspertëve të huaj se puna po ecën me ritme të shpejta për kthimin në identitet të banesave të gurta dhe komplekseve muzeale. Sipas specialistëve të monumenteve të kulturës në Gjirokastër nga ana e tyre ekspertët e UNESCO-s kanë kërkuar ruajtjen e fizionomisë arkitekturore të komplekseve të gurta gjatë procesit të restaurimit. Një tregues pozitiv për ta ka qenë edhe nisja e shembjes së një ndërtimi modern prej tulle në fasadën e banesës së Angonatëve, proces për të cilin ekspertët e UNESCO-s kishin lënë porosi konkrete.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›