E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, gjykata lë në burg Drini Alikon, akuzohet për vrasje

Shkalla e parë e gjyqësorit të Gjirokastrës, ka lënë në arrest me burg Drini Alikon, i arrestuar tri ditë më parë nga policia si i dyshuar në një ngjarje të ndodhur 10 vjet më parë me pasojë vrasjen. Kryesuesja e seancës së djeshme gjyqësore, Marsela Pepi ka vendosur që Aliko të qëndrojë me arrest në burg deri në momentin e gjykimit të çështjes duke u mbështetur tek argumentet e përcjella nga ana e organit të akuzës. Nga ana e vet prokuroria ka paraqitur provat që kushtëzonin mbajtjen në burg të Alikos deri në momentin e daljes së tij në gjyq. Ndërkohë, pala mbrojtëse ka kërkuar që Aliko të lirohej, pasi nuk është ai autori i vrasjes së Besnik Ibrahimit në nëntorin e vitit 1999 në lagjen Punëtori. Kjo është justifikuar nga mbrojtësit, pasi Drini Aliko ka qëndruar përgjatë dhjetë viteve të fundit në Gjirokastër duke qarkulluar si person i lirë dhe i pa ndjekur nga ana e organeve policore apo drejtësia. Drini Aliko është kapur nga Policia e Gjirokastrës tre ditë më parë, pasi rezulton të jetë një prej autorëve kryesorë të ekzekutimit me armë të Besnik Ibrahimit, gjatë një konflikti të armatosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›