Gjirokastër, identifikohet viktima e aksidentit në Libohovë
GJIROKASTëR- Policia e Gjirokastrës ka arritur të identifikojë viktimën e aksidentit të paradites së sotme, rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, ku njëri prej tyre humbi jetën, ndërsa një tjetër u plagos dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin civil rajonal "Omer Nishani" të Gjirokastrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës thanë, se viktima e aksidentit të sotëm është Elton Musai, 30 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues i përkohshëm në Greqi. Ai po udhëtonte në drejtim të qytetit të Libohovës me automjetin tip "Fiat Punto", me targa greke YOY 5289, kur është përplasur me automjetin tip "Benz" kamion me targa GJ 9017 A, i drejtuar nga shtetasi Roland Mushi, 55 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Nepravishtë (Gjirokastër) dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. "Grupi hetimor, pasi këqyri vendin e ngjarjes, konstatoi se shkaku i aksidentit të rëndë është shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe mos mbajtja e krahut nga ana e drejtuesit të automjetit tip "Benz", i cili aktualisht mbahet në gjendje arresti deri në përfundim të hetimeve", thanë burimet zytare. Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 11.00 të ditës së sotme, pranë fabrikës së prodhimit të pijeve Fanta në qytetin e Libohovës, në Gjirokastër. Gjatë vitit 2009 në Qarkun e Gjirokastrës kanë ndodhur 20 aksidente, me 27 të vdekur dhe 42 të plagosur.(m.a/BalkanWeb)