Gjirokastër, kapen 30 klandestinë arabë

Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur kapjen e 30 klandestinëve arabë në kufirin me Greqinë. Burime nga policia bëjnë me dije se pranë vijës së gjelbërt të kufirit, disa metra brenda tokës shqiptare janë bllokuar rreth 20 emigrantë klandestinë, pjesa më e madhe e të cilëve vinin nga Afganistani, Tunizia dhe Maroku.
Mësohet se gjatë kontrollit më në thellësi të tokës shqiptare janë kapur nga policia edhe 10 emigrantë të tjerë arabë, duke e çuar në 30 numrin e personave të huaj të cilët kishin hyrë ilegalisht në tokën shqiptare .
Klandestinët nga vendet arabe pasi hyjnë ilegalisht nga Greqia e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për të udhëtuar në drejtim të Europës.
Ndërkohë prej disa ditësh në segmentet e rrugëve kombëtare Gjirokastër-Muzinë, Gjirokastër- Tepelenë dhe Gjirokastër-Përmet janë ngritur pika kontrolli me qëllim rritjen e forcës goditëse ndaj çdo veprimtarie kriminale dhe trafiqeve të paligjshme.