E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gruaja fierake në karrierë" vlerëson Suzana Numani

Pas një konkursi të shpallur në qytetin e Fierit, Suzana Numani rezulton të jetë shpallur gruaja e vitit 2008. Me këtë rast nga Unioni i Shkrimtareve, portali i Fierit, shoqata Ard&Gea në bashkëpunim me Bibliotekën Fier kanë zhvilluar aktivitetin "Gruaja fierake në karrierë". Në këtë ceremoni ku merrnin pjesës përfaqësues të gjitha institucioneve vendore, përfaqësues të shkollave të qytetit, përfaqësues të artit dhe kulturës, si dhe shumë të afërm të Numanit. Ndërkohë për gruan e vitit kanë referuar për vlerat e saj, krijues, shkrimtarë ,studiues, përfaqësues të fushës së artit etj. Kryetari i Unionit të Shkrimtarëve Dega Fier në fjalën e tij ka thënë se Zana mbetet një ndër figurat më dinjitoze të arsimit dhe një dëshmi e gjallë e femrës së suksesshme. "Jemi këtu për të falënderuar këtë grua, e cila është një shembull i mirë i thjeshtësisë dhe virtytit dhe që padyshim shpreh modelin e humanizmit. Kjo grua meriton respekt dhe mirënjohje për atë që po bën në fushën e arsimit si presidente e një shkolle me potenciale dhe me një numër nxënësish të konsiderueshëm", kështu ka deklaruar në fjalën e tij zoti Nuri Plaku. Ndërkohë vetë zonja e parë e Fierit e mallëngjyer ka treguar se ishte një surprizë e këndshme ajo që i solli votimi i qytetarëve fierakë në një konkurs që vetë Numani nuk kishte qenë në dijeni. "Ky besim i fierakëve, i njerëzve që më duan dhe i të gjithë atyre që bën të mundur që unë të shpallem gruaja e vitit, më obligon dhe më bën që edhe unë ti shërbej dyfish këtij komuniteti, sidomos në fushën e arsimit ku unë kontribuoj tani, pra aktualisht. Ju faleminderit të gjithëve," ka thënë ndër të tjera Numani. Ndërkohë i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kreu i bashkisë Fier Baftjar Zeqaj, i cili nga ana e vetë përgëzoi dhe i uroi gruas së vitit, jetë, sukses dhe prurje të reja në talentet që në shkollën ku ajo drejton kanë qenë të shumta .

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›