Gjirokastër, kapet hajduti i vjetër, kërkohej për disa vjedhje
Dy muaj pasi ka kryer grabitjen e fundit, policia e arreston. Panajot Rondo, 42 vjeç nga Gjirokastra është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës nga ana e specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Prangosja e tij ka ardhur pasi organi i akuzës së Gjirokastrës kishte nxjerrë urdhër-ndalimin prej më tepër se 15 ditësh çfarë faktonte në bazë të provave të grumbulluara se 42- vjeçari është autor i një grabitjeje në fshatin Dhuvjan të Dropullit të Poshtëm dy muaj më parë.
Burimet policore kanë bërë të ditur për gazetën SOT se pas komunikimit me Prokurorinë e Gjirokastrës, uniformat blu në orët e pasdites së mërkurë kanë ushtruar një kontroll të hollësishëm në banesën e Rondos në lagjen Cfakë për të parë nëse ai kishte të depozituara materialet e grabitura. Në këtë kontroll, policia arriti të gjente dhe më pas të sekuestronte tri trohor (sharrë e rrumbullakët), dy trapano, një kompresor, dy pompa uji, një fshesë me korrent, një radio dore si dhe sende të tjera të dyshuara se Rondo i ka vjedhur në banesa të ndryshme në zonën e Dropullit. Policia e Gjirokastrës ka pohuar zyrtarisht se 42- vjeçari Rondo është autor i grabitjes së banesës së shtetasit J. B. nga fshati Dhuvjan, ndodhur më 14 shkurt të këtij viti, ku ka grabitur një sërë sendesh të ndryshme kryesisht mekanike dhe shtëpiake. Burimet policore kanë konfirmuar se Panajot Rondo, ka qenë i dënuar në regjimin komunist me 14 vjet burg, ku ka vuajtur vetëm 8 vite. Dënimi nga gjykata e asaj periudhe u dha pasi Rondo u gjet fajtor për veprën penale të vjedhjes. Në verën e vitit 1986 ai grabiti ish Ndërmarrjen e Bonifikimit. Materialet për Rondon i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.