Gjykata e Lartë, Topi pret sugjerimet e fundit
Sot mbaron afati i dorëzimit të sugjerimeve nga ana e partive politike për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Presidenti Bamir Topi para dy ditësh ka marrë sugjerimet e dy partive kryesore, ndërkohë që PDK nuk ka pranuar të japë sugjerime pasi sipas tyre kriteret për Gjyqtarët janë të parashikuara në ligj dhe Kushtetutë.
Ndërkohë presidenti Topi do të ketë një përgjigje konkrete lidhur me anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë vetëm nga mesi i javës.
Në orën 1:00 të ditës së sotme pritet mbledhja e Grupit parlamentar të PD-së, ku nuk do të shmanget edhe diskutimi për dekretet e Topit.
Sugjerimet e PD-së dhe PS-së
Krejt ndryshe nga PD e shohin socialistët gjyqtarin e ardhshëm të Gjykatës së Lartë. Në letrën e dërguar para dy ditësh Presidentit të Republikës, Partia Socialiste nuk paragjykon të kaluarën e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Të vetmet kritere për partinë më të madhe të opozitës mbeten profesionalizimi, integriteti moral dhe transparenca në deklarimin e pasurisë. Në letrën e dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Presidentit, Aleksandër Flloko, kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, në emër të kryesisë së këtij grupi, rikonfirmoi se për socialistët mbetet shumë i rëndësishëm përshpejtimi i procesit për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, pasi ky institucion vazhdon të jetë në kushtet e mosfunksionimit normal të tij. Sipas Leskajt, në përzgjedhjen e kandidaturave, para së gjithash, socialistët konsiderojnë të rëndësishme respektimin e kritereve që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë dhe kuadri ligjor në fuqi, ndërkohë që shprehen të gatshëm që në kuadër të reformës në drejtësi, të japin kontributet në përmirësimin e tyre.
“Ne çmojmë se në procesin e përzgjedhjes, shqyrtimit dhe të votimit të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, duhet t’u jepet përparësi kritereve që: i garantojnë gjyqësorit juristë me integritet moral, dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës, nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë, i provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tre personalitete të shquara të fushës”,- thuhet në letrën e dërguar.
Për këtë arsye, kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj çmon se vlerësimi i kandidaturave duhet bërë jo mbi kritere paragjykuese e përjashtuese me motiv politik e klientelist. Ndër kriteret që PD ka përfshirë për përzgjedhjen e gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë janë edhe mospjesëmarrja e kandidatëve gjatë karrierës së tyre në procese politike, si dhe të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi.
Ndërkohë, grupi Parlamentar i PS mbështet çdo përpjekje që synon një proces përzgjedhjeje, shqyrtimi e votimi të kandidaturave sa më transparent, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, në funksion të forcimit të pavarësisë dhe profesionalizmit në trupën gjyqësore përfshirë Gjykatën e Lartë. Për këtë arsye, PS mbetet e hapur që të japin kontributin e tyre edhe në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, nëse kjo çmohet nga Presidenti i Republikës në funksion të ushtrimit të përgjegjësive të tij kushtetuese.
Kriteret e PS-së
PS çmon se në procesin e përzgjedhjes, shqyrtimit dhe të votimit të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, duhet t’u jepet përparësi kritereve që:
-i garantojnë gjyqësorit juristë me integritet moral;
-dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës;
-nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës;
-kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë;
-i provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tre personalitete të shquara të fushës.