Punonjësi i doganës aksidenton 8-vjeçaren
Shkodër, Enda Bishanaku ka gjetur vdekjen pasi është përplasur teksa po luante me shoqet në oborrin e pallatit
SHKODËR- Enda Besnik Bishanaku është viktima e fundit e aksidenteve automobilistike në qytetin e Shkodrës. Vajza tetë vjeçare ka gjetur vdekjen në orët e vona të së shtunes në spitalin rajonal të Shkodrës, si pasojë e dëmtimeve të brendshme të pësuara nga gjatë rrëzimit pasi e ka goditur një autoveturë. Mësohet se rreth orës 21.50 vogëlushja ka qenë duke luajtur bashkë me fëmijë të tjerë në oborrin pranë pallatit të saj, në lagjen Kiras të qytetit të Shkodrës. Një autoveturë që ka qenë e parkuar aty, duke ecur nga prapa për të dalë në rrugën kryesore e ka goditur vajzën , pa e parë fare se ajo ndodhej pas mjetit. Madje drejtuesi i autoveturës, 41 vjeçari Xhenerin Lulati nga Bajza, nuk ka kuptuar asgjë dhe ka vazhduar rrugën pasi nuk e ka ditur se ka goditur njëri. Fëmijët e tjerë i kanë ndihmuar tetë vjeçare, e cila për momentin është çuar në këmbë dhe ka shkuar e shoqëruar nga fëmijët e tjerë në shtëpinë e saj. Ajo ka shfaqur menjëherë shqetësime si zverdhje, të vjella e humbje ekuilibri dhe familja e ka dërguar në spital. Ndonëse atje i është dhënë ndihma e parë mjekësore, si pasojë e tronditjes së pësuar nga goditja prej mjetit e cila i ka shkaktuar dëmtime të brendshme në kokë, tetë vjeçarja ka gjetur vdekjen. Policia ka marrë në pyetje të gjithë personat që kanë parë skenën pasi kishte dyshime nëse vajza ishte rrëzuar duke luajtur apo e kishte goditur mjeti. Pas verifikimeve të bëra ka rezultuar se shkaku i rrëzimit të saj ka qenë goditja nga mjeti, ndërsa fëmija ka rënë në kokë duke pësuar dëmtimet që pas pak orësh i morën jetën. Policia ka bërë ndalimin e 41 vjeçarit që drejtonte automjetin, i cili është punonjës i doganës në Shkodër dhe materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar prokurorisë së Shkodrës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen. Kjo është viktima e dhjetë e aksidenteve automobilistike të ndodhura në Shkodër gjatë këtij viti.