E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, media, pjesë e luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore

Një projekt i shoqatës Horizont në partneritet me Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë dhe disa shoqata rajonale të gazetarëve, ka mbledhur dje në Gjirokastër, gazetarë, drejtues të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, të Policisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit si dhe përfaqësues nga gjyqësori. Në qendër të këtij takimi ishte forcimi i lidhjeve mes medias dhe institucioneve të forcimit të ligjit kundër trafikut të qenieve njerëzore. Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij projekti, gazetarit të njohur Fatos Puto, Shqipëria ende mbetet vend burimi për gra dhe vajza të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual, për përfitim dhe punë të detyruar ndaj dhe implementimi i këtij projekti kërkon të sensibilizojë organet shtetërore sidomos ato investigative që të minimizojnë për të mos thënë të zhdukin këtë fenomen, i cili po gjeneron prej 17 vitesh në vendin tonë. Ndërsa kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë Aleksandar Çipa, shprehet se në bazë të raportit të katërt vjetor, i cili është bërë publik në fund të vitit të kaluar, nga USAID mbi luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore i nxjerrë nga përvoja e një rrjeti mbarëkombëtar të përbërë nga qeveria dhe organizatat e shoqërisë civile që bashkëpunojnë me programin amerikan USAID, shumica e viktimave të trafikuara rekrutoheshin nga ato zona të vendit që janë më të urbanizuara dhe nga ato qarqe që janë në gjendje më të vështirë ekonomike. Sipas Çipës, viktimat shqiptare trafikohen në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe vende të tjera evropiane. Fëmijët shqiptarë sipas këtij raporti trafikohen gjithashtu në Greqi për të lypur dhe forma të tjera të punës së fëmijëve. Përmes projektit, pritet që të përmirësohen metodat e gazetarisë investigative në zbulimin e rasteve të trafikut dhe luftës ndaj këtij fenomeni. Ky projekt zbatohet me mbështetjen e fondacionit Marshall.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›