Respekti ndaj mysafirëve fut në sherr kunatat, njëra qëllon me thikë tjetrën

Rrihen dy kunatat, ndërsa njëra prej tyre përfundon e plagosur me thikë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen 16 Prilli, kur të dyja kunatat e kanë nisur debatin për probleme të momentit, që kanë lindur papritur. Motivi i zënkës ka qenë fare banal, kanë pohuar burimet policore të policisë së Fierit. Dy kunatat, Adelina Hamzaraj dhe Dallandyshe Alushaj, kjo e fundit motra e burrit të Adelinës, janë grindur në fillim me fjalë e më pas Dallëndyshja e ka qëlluar tjetrën një here me thikë.
Policia pohon se autorja e plagosjes është Dallandyshe Alushaj, 35 vjeçe, e martuar me fëmijë dhe e plagosur është kunata e saj, Adelina Hamzaraj, 24 vjeçe, e martuar me një fëmijë. Sipas burimeve policore, mësohet se rreth orës 10:00 të paradites së djeshme prindërit e Adelinës kishin shkuar tek e bija, Adelina. Pasi kanë qëndruar përreth dy orë, Adelina i është lutur atyre që të qëndronin për drekë, por ata kanë ikur, nuk pranuan. Në shtëpi një orë më pas ka mbërritur Dallandyshja, motra e burrit të Adelinës. Pasi janë larguar prindërit e Adelinës, Dallandyshja ka debatuar me kunatën që të këmbëngulte për ti mbajtur për drekë, pasi ishte kohë dreke e të mos keqkuptoheshin. Ky ka qenë edhe debati që ka nisur mes dy kunatave, pra, respekti për mysafirët. Më pas ky debat ka degjeneruar në një sherr të madh dhe të dyja kunatat mësohet të kenë fyer rëndë njëra tjetrën, gjë që mesa duket nuk është përtypur nga asnjëra prej tyre. Në sherr e sipër Dallandyshja ka marrë një thikë që ka gjetur mbi tavolinën e aneksit të shtëpisë dhe e ka gjuajtur një herë kunatën e saj, nusen e vëllait. Thika e ka zënë në brinjën e anës së majtë duke e çarë, por jo shumë thellë. Po sipas policisë mësohet se ka qenë vetë Dallandyshja që ka thirrur një të afërmin e saj për të shoqëruar të plagosurën të cilës po i rridhte gjak pa mbarim. Së bashku me të afërmin e tyre, autorja e ka çuar kunatën në spital dhe menjëherë ajo është çuar në repartin e pathologjisë së spitalit Fier, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Burimet spitalore pohuan se goditja që Adelina kish marrë nga kunata e saj, nuk ka qenë e thellë, vetëm 2 cm. Asaj i është dhënë ndihma e parë mjekësore e më pas është shtruar në njërën prej dhomave të këtij reparti për ta mbajtur nën vëzhgim disa orë. Pasi është njoftuar për ngjarjen, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Një grup ka shkuar në banesën e Adelinës në lagjen 16 Prilli, ndërkohë që një grup tjetër është nisur drejt spitalit rajonal Fier. Në spital policia ka shoqëruar për në ambientet e saj edhe autoren e ngjarjes, 35 vjeçaren Dallandyshe Alushaj. Më pas oficeri i policisë gjyqësore ka marre në pyetje edhe të plagosurën Adelina Hamzaraj, e cila ka pohuar çdo gjë rreth ngjarjes. Adelina u ka pohuar punonjësve të policisë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, punë respekti dhe marrëdhëniesh brenda familjes. Lidhur me të plagosurën, policia pohoi se ka disa muaj që ka shfaqur simptoma të depresionit nervor.