Vlorë, probleme me letërnjoftimet, bashkia dhe prefektura largpërgjegjësive
Pajisja me karta identiteti të shtetasve në qytetin e Vlorës, është kthyer në problem më vete. Bashkia dhe prefektura nuk gjejnë një zgjidhje, por akuzojnë njëra-tjetrën për këtë amulli dhe duket se lajnë duart nga përgjegjësia, ndërkohë që janë qytetarët, ata që vazhdojnë të vuajnë kur shkojnë për të aplikuar apo për të marrë këto karta. Në të vërtetë në këtë bashki është vënë në dispozicion një sallë shumë e vogël për nga raporti i numrit që mendohej të aplikonin për karta identiteti.
Në këtë ambient të vogël kanë punuar fillimisht 9 operatorë, ndërsa aktualisht punojnë 6 operatorë sepse 3 prej tyre janë strehuar në një dhomë tjetër 3 me 3 metër dhe merren vetëm me dhënien e kartave të identitetit. Por ndërsa ditëve të para, ndonëse me vështirësi, përballohej nga këta operatorë fluksi ditor i shtetasve që aplikonin për karta identiteti, këto ditë edhe dhoma në dispozicion por edhe numri i operatorëve është shumë i ulët dhe i pamundur të përballojë fluksin e aplikuesve. Kjo sepse me ardhjen e ditës së mbarimit të afatit të aplikimit, janë shtuar së tepërmi qytetarët që duan të pajisen me këtë kartë. Ky shtim ka bërë që të jetë i pamundur përballimi nga 6 operatorët e mbetur tek zyra për aplikim. Dy nënkryetarët e bashkisë, Arqile Mishtaku dhe Halim Dervishi, brenda tre ditëve kanë shkuar për tu njohur nga afër me gjendjen dhe në përfundim të vizitave kanë bërë me përgjegjësi prefekturën e qarkut që nuk merr masa për të shtuar numrin e operatorëve që duhet të jenë në gatishmëri për fluksin e aplikuesve. Mirëpo nga ana tjetër edhe sekretarja e prefekturës ka shkuar disa herë në këtë zyrë dhe është njohur me gjendjen, por përgjegjësinë ia ka lënë në derë vetë bashkisë. Sipas Dorote Konomit, është vetë bashkia ajo që duhet të sigurojë ambiente më të mëdha dhe kushte më të mira për operatorët që punojnë me qytetarët. Sipas saj, edhe në shtimin apo pakësimin e numrit të operatorëve prefektura nuk mund të ndërhyjë sepse kjo nomenklaturë është e drejtë e firmës fituese të tenderit përkatës që në varësi të numrit të qytetarëve që mendohet se do të aplikonin ka vënë në punë edhe operatorët që punojnë aktualisht. Ndërkohë që dy institucionet më të rëndësishme të qytetit luajnë pingpong për përgjegjësitë që duhet të mbajnë për këtë gjendje, ose së paku që duhet të mendojnë së bashku për një zgjidhje emergjente, ata që vuajnë pasojat janë qytetarët vlonjatë. Këta të fundit rrinë në radhë me orë të tëra, midis të cilëve ka dhe nga ata që ikin dhe vijnë ditën tjetër për të aplikuar.