Gjirokastër, muaji Maj, me fatura të printuara energjie
Duke filluar nga ky muaj e në vazhdim, faturat e energjisë elektrike për abonentët në rrethin e Gjirokastrës, do të jenë të printuara. Kjo është edhe arsyeja përse faturimi i energjisë së harxhuar nuk është kryer brenda afateve të përcaktuara duke vonuar rrjedhimisht edhe dërgimin e këtyre faturave tek konsumatorët, të cilët janë habitur nga kjo vonesë.
Pak ditë më parë qytetarët gjirokastritë e kanë ngritur këtë shqetësim tek mediat lokale të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për mos marrjen e faturave për energjinë e konsumuar këtë muaj. Mirëpo drejtori i Njësisë Elektrike të Menaxhimit për rrethin e Gjirokastrës Astrit Kasa, është shprehur në lidhje me këtë çështje se faturimi i konsumimit të energjisë elektrike për të gjithë abonentët familjarë dhe të tjerë, është kryer në datën 21 prill dhe çdo gjë është në rregull. Përveç vonesave, abonentët si familjarë ashtu edhe ata privatë, nuk do të kenë asnjë lloj problemi tjetër apo shtesë të mundshme të kilovatëve të konsumuar për faktin e shkrimit të energjisë së konsumuar në datën 21-është shprehur Kasa. Sipas këtij të fundit në faturën e re e cila do të jetë e printuar kompjuterikisht, janë të përcaktuara në mënyrë të detajuar të gjithë elementët që përbëjnë edhe vleftën përfundimtare të energjisë së konsumuar. Gjirokastra konsiderohet si një ndër rrethet me numrin rekord të energjisë së paguar nga ana e konsumatorëve. Ndërtimi i nënstacionit të ri elektrik, ka krijuar akses të mjaftueshëm për kërkesat e shumta për rrymë qoftë nga ana e konsumatorëve familjarë, apo dhe nga bizneset e shumta që operojnë në rajonin jugor. Rehabilitimet e rrjetit shpërndarës së energjisë elektrike, kanë krijuar klimë të mirë sidomos për biznesin i cili nuk privohet prej muajsh nga energjia elektrike.