E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, nuk mblidhen taksat në Golem

Afrimi i fushatës elektorale në vend ka nxitur shumë nga bizneset që të mos paguajnë taksat. Si në çdo fushatë tjetër, një pjesë e konsiderueshme përfaqësuesish të biznesit të vogël e të madh, bien pre e premtimeve elektorale për falje apo ulje të taksave, premtime të tilla shumë prej tyre duket se i kanë marrë plotësisht si të mirëqena dhe në këtë mënyrë nuk kanë paguar detyrimet që rrjedhin nga ushtrimi i aktivitetit privat. Tashmë për biznesin e vogël ka kaluar afati për pagimin e taksave për tremujorin e parë të vitit 2009 dhe një gjë e tillë është ndier menjëherë në komunën e Golemit. Përgjegjësi i zyrës së tatim taksave në këtë komunë Kadri Ajazi është shprehur se me mjaft vështirësi po i mbledh taksat nga bizneset e komunës tonë. Planin e këtyre muajve e kemi më të ulët sepse janë muajt e parë të vitit dhe nuk ka filluar sezoni turistik, por niveli i realizimit është i ulët, ka bërë të ditur Ajazi. Në lidhje me shkaqet që kanë ndikuar në këtë mosrealizim, përgjegjësi i zyrës tatimore Kadri Ajazi është shprehur se këtu ndikon niveli i xhiros, i cili është mjaft i ulët dhe në këtë rast ndikon kriza ekonomike. Nga ana tjetër edhe afrimi i zgjedhjeve parlamentare ka bërë që të ketë një stepje për pagimin e taksave për shkak të premtimeve elektorale që bëhen nga parti të ndryshme. Në kushte të tilla plani i muajit prill është në vështirësi që të realizohet, ndërkohë që e njëjta gjë rrezikon të ndodhë edhe në muajt e sezonit turistik. Ajazi ka shtuar se ne po mundohemi me të gjitha forcat duke takuar dhe kontaktuar çdo biznes një nga një, sepse ligji në rastin e mospagesës së taksave brenda afatit të caktuar, parashikon edhe aplikimin e gjobave që shkojnë për një ditë vonesë 10 000 lekë. Aktualisht komuna e Golemit numëron 290 biznese aktive, nga të cilët 50 janë debitorë. Në periudhën e sezonit turistik, nga muaji qershor deri në shtator, në këtë komunë shtohen ndjeshëm bizneset ambulantë, plazhet private etj. Shtimi i tyre pritet që të rregullojë disi nivelin e të ardhurave, por deficitet e tremujorit të parë do të ndihen në fund të vitit me llogaritjen në total të realizimit të të ardhurave nga biznesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›