Berat, nëna denoncon trafikantin e vajzës për 12 vitesh histori
Pas 12 vjetësh, nëna e një vajze të trafikuar vendos të akuzojë personin që i trafikoi vajzën për prostitucion në Itali. Nënë e ta trafikuarës e ka bërë denoncimin këto ditë teksa ajo është paraqitur pranë drejtorisë së policisë duke kërkuar arrestimin e shtetasit që i përdori vajzën për qëllime prostitucioni që në vitin 1996. T. Gj., ka treguar të gjithë ngjarjen e vajzës së saj, sipas së cilës trafikanti i kishte premtuar martesë por pasi e ka marrë në Itali e ka nxjerrë në rrugë.
Ndërkohë, policia pas denoncimit ka deklaruar nisjen e hetimeve në gjendje të lirë ndaj të akuzuarit. Burime të Komisariatit të Policisë Berat bëjnë me dije se disa ditë më parë në sektorin e trafiqeve ka mbërritur denoncimi ndaj shtetasit Altin Gega, 31 vjeç, banor i lagjes Kushtrim. Ka qenë shtetasja me inicialet T. Gj., banore e këtij qyteti, e cila më 27 prill ka ngritur denoncimin ndaj tij, duke e akuzuar atë për trafikim e vajzës së saj R. K., 29 vjeçe. Sipas denoncimit, gjatë një periudhe disa mujore në vitin 1996, kur vajza në ato vite ishte vetëm 16 vjeçe, është trafikuar në Itali prej 31- vjeçarit Gega. Ky i fundit pasi i kishte premtuar vajzës fejesë e kishte marrë me vete në Milano ku dhe sipas denoncimit e kishte shfrytëzuar si prostitutë për disa muaj me radhë. Po sipas denoncimit, pasi arriti të shpëtonte nga trafikimi, vajza ka vendosur të vazhdojë të jetojë në Itali, ndërkohë që Gega është kthyer në këtë qytet. Ditët e fundit, nëna e vajzës vendoi ta denonconte në polici Gegën, duke kërkuar ndjekjen e kësaj ngjarjeje nga ana e policisë. Sipas burimeve të policisë lokale, pas marrjes së denoncimit çështja është duke u hetuar, ndërkohë që Gega do të ndiqet në gjendje të lirë. Sipas burimeve të policisë, kundër të akuzuarit janë thëniet e vajzës, e cila pritet të bëjë dhe një kallëzim penal për gjithë ngjarjen se si ka nisur dhe si ka përfunduar deri në ndarjen e vajzës. Për këtë ngjarje po mblidhen materiale për të verifikuar vërtetësinë e saj.