Gripi i derrave, asnjë masë në pikat kufitare të Juglindjes
Gripi i derrave ka nxitur marrjen e masave parandaluese në qarkun e Korçës, ndërkohë që ende nuk është marrë asnjë masë në kufi. Prej më shumë se 24 orësh, Drejtoria e Shëndetit Publik në këtë qytet ka nisur lëvizjen. Shkollat e qytetit të Korçës, të cilat janë të populluara me të paktën 5 mijë nxënës, janë vënë në qendër të vëmendjes duke u dezinfektuar të gjitha ambientet e tyre, ndërsa është kërkuar rritje e sigurisë por dhe e kontrollit veterinar tek disa stabilimente që merren me rritjen dhe mbarështimin e derrave.
Ndonëse nuk ka asnjë rrezik deri në këto moment, masat nuk kanë munguar, ndërsa spitali rajonal i Korçës ka vendosur të ngrejë një mini repart në rast shfaqjeje të sëmundjes në Sanatoriumin e qytetit. Në këtë Sanatorium bëjnë të ditura për gazetën burimet spitalore është krijuar minipavioni me të gjitha objektet e nevojshme si maska etj. Kjo është masa e parë konkrete në spitalin e juglindjes dhe konkretisht në Sanatorium ku do të jenë dy dhoma të mbajtura në izolim të plotë, në rast të shfaqjes së virusit H1N1 tek derrat. Ndërsa në Korçë duket se strukturat shëndetësore kanë nisur të lëvizin, në kufi duket se situata është e pandryshuar. Sipas burimeve të mirëinformuara pranë pikës kufitare të Kapshticës, udhëtarët që hyjnë në Shqipëri nuk i nënshtrohen ndonjë kontrolli të posaçëm apo të dezinfektohen si ka ndodhur në raste kur ka patur situatë alarmi për sëmundje të ngjashme. Ndonëse kanë hyrë disa mijëra qytetarë në 24 orët e fundit nuk është vënë re asnjë lloj kontrolli i tyre, ndërkohë që ka një kontroll më të imtësishëm përsa iu përket ushqimeve me përmbajte mish derri, të cilat kalohen në analiza të posaçme laboratorike. Duke iu referuar të njëjtave burime nga Kapshtica, pritet që pas datës 1 maj të ketë dhe masa konkrete në kufi si dhe kontrolle të shumta, pasi do të mbërrijnë një sasi baze materiale e duhur për këtë rast. Ndërkaq pala greke ushtron kontrolle dhe kryen dezinfektimin e të gjithë shtetasve shqiptarë apo të huaj që hyjnë në Greqi për të parandaluar rrezikun e sëmundjes vdekjeprurëse për njerëzit atë të gripit të derrave. Ndërsa në tokën greke masat janë të shumta ndryshe ndodh në territorin shqiptar në Kapshticë. Por e njëjta situatë paraqitet dhe në pikat e tjera të kalimit që lidhin Shqipërinë me vende të tjera. Kështu ende nuk ka nisur marrja e masave edhe në pikën kufitare të Qafë-Thanës ndër më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, por dhe atë të Gorricës, Tushemishtit etj.