Dështimi i tenderave elektronikë rrezikon investimet në infrastrukturë

Të menduar si gjetja më efikase ndaj luftës së korrupsionit, tenderat elektronikë po sjellin shqetësime të mëdha në gati në të gjithë rrethin e Vlorës ku po mbeten shumë projekte pa zbatuar. Drejtues të njësive vendore, bashki dhe komuna, bëjnë me dije këtë shqetësim sipas të cilëve, nëse vazhdohet në këtë mënyrë, dëmi më i madh i shkaktohet vetë komunitetit sepse po dështojnë tendera projektesh për infrastrukturën në ndihmë të tyre.
Shkaku kryesor i dështimit të këtyre tenderave është mosaplikimi siç duhet i konkurruesve që për arsye të ndryshme teknike nuk sjellin dokumentacion të plotë, gjë që në zhvillimin e tenderave jo elektronik nuk ndodhte sepse aplikimi ishte më i thjeshtë. Sipas burimeve nga bashkia e qytetit, deri tani kanë dështuar në këtë bashki tre tendera të mëdha që kishin të bënin pikërisht me infrastrukturën në këtë qytet dhe në këtë mënyrë, nuk po zbatohen dot projekte që duhej normalisht tani të kishin përfunduar dhe që do tu vinin në ndihmë komunitetit. Burimet tona nga kjo bashki tregojnë se në njërin tender elektronik janë paraqitur plot 9 konkurrues, por vetëm njëri prej tyre kishte plotësuar me rregullsi dokumentacionin, ndërkohë që pas eliminimit të tetë konkurrentëve të tjerë, nuk mund të zhvillohej tenderi sepse kërkesa minimale është pjesëmarrja e të paktën dy konkurruesve. Burimet shtojnë se mosplotësimi i kushteve nga këto firma pjesëmarrëse kanë qenë vetëm shkaqe teknike. Po ashtu, njëri prej kryetarëve të komunave pohon se në tenderin për ujësjellësin e njërit prej fshatrave të komunës janë paraqitur plot shtatë konkurrues por vetëm njëri prej tyre nuk kishte asnjë gabim në plotësimin e dokumentacionit. Kësisoj tenderi nuk është bërë dot i mundur por tashmë edhe fshati nuk po merr dot ujë kur ndërsa po të ishte zhvilluar tenderi do të kishin përfunduar rreth 70 % të punimeve të ujësjellësit. Po kështu, më ka dështuar edhe një tender për rrugën kryesore në një fshat tjetër, tregon kryetari i komunës, që më pas sjell edhe shqetësimin se po kalon pothuajse gjysma e vitit dhe nuk ka mundur të zhvillojë asnjë tender. Kemi dhe fushatën elektorale përpara dhe nuk kemi si dalim përpara elektoratit për ti kërkuar votën, ndërkohë që nuk kemi mbajtur premtimet vetëm për moszhvillim tenderi tregon ai. Një tender i madh po ashtu ka dështuar edhe në ndërmarrjen rajonale të rrugëve dhe po ashtu shkak ka qenë defektet teknike në paraqitjen e dokumentacionit nga konkurruesit. Edhe kryetarë të tjerë komune tregojnë se nuk kanë zhvilluar deri tani asnjë tender, madje në dy komuna nuk kanë mundur të zhvillojnë edhe tenderin e karburantit dhe për të lëvizur marrin tollona borxh me të drejtë kthimi nga kolegët e tjerë.