Pronat, Prokuroria e Lushnjës nis hetimin e 20 dosjeve të dyshimta
Pas arrestimit të tre punonjësve të zyrës së regjistrimit të pasurive të patundshme në Lushnje, ka nisur hetimi për rreth 20 dosje, të cilat mendohet se janë falsifikuar nga punonjësit e ZRPP. Burime nga Prokuroria e rrethit të Lushnjës bëjnë të ditur se do të shqyrtohen me imtësi të gjitha dokumentet që ndodhen brenda dosjeve, e do të merren në ekzaminimin vërtetimet e lëshuara dhe materialet e noterizuara që gjenden në këto dosje. Hetimi në fjalë pritet të nxjerrë në një konkluzion të qartë e ndoshta përfundimtar të punonjësve të implikuar në këtë falsifikim.
Ndërkohë mësohet se do të bëhen matje të reja për sipërfaqet e tokës për të cilat zyrtarët përfliten se kanë falsifikuar. Shkak për arrestimin e Agim Kojkut, 37 vjeç, banues në fshatin Plug të Lushnjës, me detyrë zëvendësregjistrues në Hipotekën Lushnjë, Servet Musakut, 59 vjeç, banues në Lushnjë me profesion topograf, me detyrë hartografist në këtë zyrë dhe Agim Prendit, 45 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë janë bërë pikërisht kallëzimet e herëpashershme të qytetarëve lidhur me pakënaqësi në dokumentacionin e tokës. Pikërisht këto ankesa kanë bërë që grupi hetimor të nis këtë verifikim me specialistë ët ardhur nga Tirana. Kështu, prej kohësh pas marrjes së dëshmive nga kallëzuesit, është vendosur mbajtja nën hetimet nga strukturat e policisë e katër të denoncuarve, duke hetuar imtësisht mbi gjithçka është firmosur nga personat e lartpërmendur, madje dhe mbi pasuritë e tyre. Si rrjedhojë, është arritur të provohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë falsifikuar dokumente të ndryshme duket tjetërsuar pronat e duke shpërdoruar kështu detyrën. Gjithçka ka rënduar mbi pronën e personave të tjerë, të cilët të ndjerë të cënuar, ende kërkojnë të drejtat e tyre. Burimeve të policisë së qarkut, kanë pohuar se ka qenë një familje që ka bërë një kallëzim se prona e tyre është tjetërsuar nga zyrtarë të hipotekës duke ua shitur atë pronarëve të tjerë. Po kështu, dy kallëzime të tjera janë bërë po për të njëjtën gjë, çka ka çuar edhe në kryerjen e verifikimeve. Fakti i shkeljeve të kryera nga të ndaluarit është pohuar edhe nga drejtori i policisë së qarkut Fier, Shemsi Prençi. Sipas Prençit, kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë kontrollit më të fundit të kryer në hipotekën e Lushnjës ka vënë re shkeljet e kryera nga punonjësit në fjalë. Verifikimet intensive bëhen pikërisht një ditë përpara dhënies së masës së sigurisë për të ndaluarit e ZRPP Lushnje.