E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, mungesa e pullave bllokon shpërndarjen e certifikatave

Mungesa e pullave të certifikatave, ka bllokuar dhënien e këtyre të fundit për banorët në Bashkinë e Gjirokastrës të cilëve iu privohet kështu mundësia elementare për tu pajisur me kartat e reja të identitetit. Punonjëset në Zyrën e Gjendjes Civile kanë pohuar për gazetën se mungesa e pullave 50 lekëshe, është konstatuar ditë më parë dhe askush nuk e ka marrë këtë përgjegjësi për ta zgjidhur. Kjo situatë ka krijuar probleme të shumta për qytetarët dhe në mënyrë të veçantë për emigrantët, të cilët ishin kthyer me rastin e Pashkës Ortodokse. Këta të fundit janë shprehur mjaft të revoltuar për këtë anomali të paparë ndonjëherë për ta. Refik Hamzai nga Gjirokastra është shprehur se shteti ynë nuk është në gjendje të na pajisë me certifikata e jo më me karta identiteti. Kjo qeveri sipas tij nuk ka mundësi që të pajisë me certifikata shtetasit e vet për të mos folur më tepër për kartat e identitetit. Ndërkaq, nuk dihet ende se kur do të zgjidhet ky problem. Informacionet e marra në lidhje me këtë çështje, bëjnë të ditur se ngërçi është krijuar për shkak të vonesave në zhvillimin e tenderit për pullat në Tiranë, ndërkohë që shqetësimi prej shumë kohësh është përcjellë në instancat përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›