E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, nxënësit bojkotojnë mësimin për mungesë kushtesh

Nxënësit e shkollës së mesme Siri Shapllo në Gjirokastër, kanë bojkotuar një orë mësimore ditën e djeshme si shenjë proteste ndaj kushteve aspak normale që gëzojnë në ambientet ku ata mësojnë. Mungesa e ngrohjes në klasa, gjendja e mjerueshme e terrenit sportiv përfshirë dhe ambientet brenda godinës shkollore, kanë detyruar qeverinë e nxënësve të shkollës së mesme, të ndërmarrin një veprim të tillë mesditën e sotme. Ky reagim çuditërisht ka marrë

edhe aprovimin e stafit mësimdhënës të cilët kanë suportuar nxënësit në bojkotin mësimor një orësh duke krijuar një precedent të paparë në Gjirokastër. Vetë mësuesit janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e krijuar prej vitesh në këtë institucion që nga mungesa e terrenit sportiv, pajisjeve të brendshme logjistike si dhe ngrohjes së munguar në stinën e ftohtë. Nxënësit nga ana e tyre, janë mbledhur para shkollës duke protestuar ndaj Bashkisë së Gjirokastrës e cila sipas tyre është përgjegjëse kryesore për gjendjen e krijuar. Sipas tyre, kryebashkiaku gjirokastrit Flamur Bime ndonëse është informuar rreth këtij shqetësimi, nuk ka denjuar një herë të vijë dhe të shikojë nga afër gjendjen. Nxënësit e shkollës së mesme i kanë dërguar sot një peticion kryebashkiakut Bime të nënshkruar nga përfaqësues të qeverisë së nxënësve, ku i kërkohet atij të zgjidhë kërkesat e parashtruara pasi në të kundërt , forma e protestës ndaj kushteve të domosdoshme që duhet të përfitojnë, do të marrë trajta ekstreme. Nuk kanë dhënë detaje se cilat do të jenë reagimet ekstreme, por disa prej nxënësve, kanë pohuar për gazetën se bëhet fjalë për bojkotimin me ditë të procesit mësimor.  T. Hoxha

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›