E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrokaj: MASH vonon doktoratat në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë

Shqetësimi
Dekani thekson se kjo po bëhet pengesë edhe për studimet e tjera pasuniversitare

Doktoraturat për degët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës vazhdojnë të mos çelen, ndonëse numri i aplikantëve ka kaluar mundësitë e pranimeve. Ndërkohë që një gjë e tillë e ka detyruar dekanin e këtij fakulteti, Shezai Rrokaj, që të rikujtojë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit se që prej një viti nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete për miratimin e këtyre doktoraturave.
Të parat në listën e pritjes janë studimet pasuniversitare të doktoratës për degët e Historisë dhe të Gjeografisë. Por ngërçi dhe pritja që prej një viti për miratimin e tyre duket se ka sjellë një bllokim zinxhir edhe për të tjerat, duke e lënë këtë fakultet, një nga më të mëdhenjtë që ka Universiteti i Tiranës, pa këtë nivel studimi.
Një fakt të tillë e ka bërë publik dekani Rrokaj, i cili thotë se ka gati një vit, që miratimi i këtyre studimeve të doktoraturës po stërzgjatet dhe kjo ka penguar zhvillimin e të gjitha doktoraturave në këtë fakultet, një cikël ky studimesh shumë i kërkuar.
“Jemi në pritje të shkollës doktorale të Historisë dhe të Gjeografisë, të cilat duhet të miratohen sa më parë nga Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli i Akreditimit, pastaj të kalojnë në Këshillin e Ministrave. Jemi shumë të vonuar sepse ka kaluar mbi një vit dhe mosmiratimi i këtyre dy shkollave po pengon fillimin e të gjithë shkollës doktorale në fakultet”, tha Rrokaj.
Problemin e vonesave të miratimit të programeve të studimit të doktoratave e ka ngritur prej kohësh edhe vetë rektori i Universitetit të Tiranës. Ai është shprehur se është krejt e pakuptueshme dhe madje tendencioze që këto programe studimi miratohen për universitetet private dhe lihen në harresë për institucionin më të madh publik të arsimit të lartë në vend, Universitetin e Tiranës.
Nga ana tjetër, një lajm i mirë vjen për të gjithë studentët që frekuentojnë aktualisht degët që ofron Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në UT. Sipas dekanit të fakultetit, Shezai Rrokaj, pedagogë të huaj nga universitete europiane do të japin mësim në auditorët shqiptarë. Këta profesorë të huaj të njohur edhe në auditorët universitarë europianë ndryshe nga sa ka ndodhur në disa raste më parë, këtë vit do të punojnë me kohë të plotë për disa lëndë të veçanta. Për pagesat që do të ofrohen për këta profesorë mendohet të shfrytëzohen pagesat e studentëve, ose ato që përfshihen si fond nga të ardhurat dytësore të universiteteve publike dhe që këta të fundit mund t’i përdorin për nevojat e tyre në shërbim të mësimdhënies.
“Për herë të parë ne po parashikojmë nga fondet e të ardhurave të studentëve miratimin e rreth 20 profesorëve të huaj, që do të vijnë të mbajnë lëndë të plota në fakultetin tonë”, sqaroi më tej dekani Rrokaj. Ai ka vijuar duke thënë se ardhja e këtyre pedagogëve të huaj do të ndikojë në standardet e mësimdhënies, ndërkohë që shprehet se ky do të jetë njëkohësisht dhe një kualifikim për pedagogët shqiptarë.
Por theksohet gjithashtu, se edhe disa nga pedagogët e këtij fakulteti ftohen herë pas herë të mbajnë leksione në universitete europiane.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›