Gjirokastër, policia dëbon dy shtetas turq
Dy shtetas turq me banim në Gjirokastër nuk janë lejuar më të qëndrojnë në Shqipëri. Shkak është bërë mbarimi i lejeve të qëndrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare nga policia kufitare e Gjirokastrës, specialistët e sektorit të migracionit në këtë strukturë kanë shoqëruar mesditën e të martës në ambientet e kësaj drejtorie shtetasit turq, Selman Kejif, 37 vjeç dhe Ergyn Arabaçi, 35 vjeç. Dy shtetasit turq janë marrë nga policia e kufirit në momentin kur po punonin në një punishte për lyerjen e makinave në qytetin e Gjirokastrës. Sipas të dhënave të publikuara nga policia e kufirit, lejet e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë të dy turqve kishin skaduar në fillim të prillit dhe normalisht që ata duhet të rifreskonin këtë dokument çka do të bënte të mundur qëndrimin pa probleme në shtetin shqiptar. Mirëpo, me mbarimin e afatit të qëndrimit, dy shtetasit nga Turqia nuk kanë bërë rifreskimin e dokumenteve dhe shoqërimi i tyre dje në policinë rajonale, ka qenë konform ligjit, pohojnë burimet policore. Pas plotësimit të formularëve të zakonshëm për ditët e qëndrimit në Shqipëri, të dy turqit janë dërguar drejt Tiranës për në departamentin qendror të kufirit dhe migracionit për veprime të mëtejshme. Aktualisht, në Gjirokastër jetojnë mbi 100 shtetas të huaj. Shumica e tyre janë punëtorë nëpër firma të ndryshme prodhuese dhe transportuese, por ka edhe ata që aderojnë në shoqata bamirëse që veprojnë në këtë qytet.