Peshkopi, gjyqi i "monstrës" mbahet larg syve të publikut
Është mbyllur në pak minuta seanca e parë gjyqësore në ngarkim të Shpëtim Zizës, të sëmurit mendor që u quajt "Monstra e Peshkopisë", pas vrasjes dhe përdhunimit të një fëmije 10 vjeç, në nëntorin e vitit të shkuar. Dje, në Gjykatën e Rrethit të Dibrës u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie seanca e parë gjyqësore ndaj Shpëtim Zizës. Gjithçka u mbyll në pak minuta në këtë seancë, pasi gjykata kërkoi më shumë prova nga prokurori i çështjes. Trupi gjykues i drejtuar nga Kastriot Selita dhe me anëtarë Edmond Gogun dhe Altina Nasufin kërkoi nga prokurori i çështjes, Ramadan Troci, sjelljen e provave plotësuese për të mbështetur tri akuzat. Në fillim të seancës, nga ana e prokurorit Troci është kërkuar që në bazë të nenit 340 të Kodit të Procedurës Penale, seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Shpëtim Ziza të zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi faktet që do të shqyrtohen në këtë proces gjyqësor cenojnë moralin shoqëror. I të njëjtit mendim ka qenë edhe avokati mbrojtës i të pandehurit, Qazim Gjoni. Ai argumentoi se kjo seancë nuk duhet të jetë e hapur për publikun, sepse së pari, akuzat për të cilat është akuzuar i pandehuri kanë të bëjnë me moralin shoqëror dhe sepse vetë i akuzuari është i sëmurë psikik. Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues vendosi që shqyrtimi gjyqësor i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shpëtim Ziza të zhvillohet me dyer të mbyllura. Shpëtim Ziza akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal; marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur, parashikuar në neni 100/2 të Kodit Penal dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, neni 278/2. Ai akuzohet se në nëntor të vitit 2007 përdhunoi dhe më pas vrau fëmijën 10 vjeç Bekim Çenga. Krimi i rëndë u pranua nga vetë i pandehuri pas arrestimit nga ana e policisë. Por për shkak të sëmundjes mendore nga e cila vuan, Ziza nuk ka dhënë motive të qarta për vrasjen dhe kjo pritet të sqarohet nga gjykata.