E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gjyqtarët t‘u tregojnë vendin politikanëve të korruptuar"

Gjyqtarët duhet t‘i tregojnë vendin politikës së korruptuar dhe politikanëve që abuzojnë me pushtetin dhe përfshihen në afera. Deklarata vjen nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i cili tha se gjyqtarët nuk ka pse të kenë kompleksin e frikës së presionit nga politika, madje ata duhet të përdorin presionin e tyre ligjor kundër politikanëve të korruptuar. "Politika ka vendosur monopolin për rregullat e lojës për kuadrin ligjor dhe infrastrukturën që punon pushteti gjyqësor. Ashtu si dhe nuk i ka garantuar dhe siguruar një pavarësi financiare. Një pushtet i cili nuk gëzon pavarësinë ekonomike ka vënë në dyshim autoritetin dhe forcën e vet. Kjo është një luftë të cilën pushteti gjyqësor dhe gjyqtarët duhet ta vazhdojnë", tha Spahiu. Duke u ndalur te zgjedhjet e kryetarëve të gjykatave, nënkryetari i KLD-së pohon se për herë të parë në historinë e pushtetit gjyqësor do të zhvillohet një takim masiv i hapur i KLD-së për të zhvilluar prezantimin e fushatës për kandidatët për kryetarë gjykatash. "Do të jetë një mbledhje e hapur, e cila do të zgjasë nga ora 08:30 e mëngjesit deri në orën 21:00 të datës 21 prill dhe të datës 22 prill. Për shkak të kërkesave dhe garës së hapur kanë kandiduar shumë gjyqtarë për disa gjykata. Madje, kemi disa gjykata ku çdo gjyqtar ka kandiduar dhe pretendon të jetë drejtues i asaj gjykate. Në këtë aktivitet do jenë pjesëmarrës juristë, prokurorë, avokatë, gjyqtarë, ekspertë dhe diplomatë të huaj, si dhe media, disa prej të cilave do të realizojnë një transmetim live maratonë të fushatës", shton Kreshnik Spahiu. Në fund tha se ka përfunduar një kontroll në Gjykatën e Tiranës ku ka rezultate konkrete dhe pa dyshim emra konkretë. "Në ditët në vijim do të kemi propozime konkrete për faktet, provat dhe të dhënat që ne kemi siguruar nga kontrolli i gjykatës. Askush që abuzon me ligjin nuk do t‘u shpëtojë procedimeve ligjore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë", përfundon nënkryetari i KLD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›