E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ironia e Ina Ramës: Dosja e Gërdecit? S‘është ndonjë hata

Kryeprokurorja Ina Rama nuk ka preferuar të japë detaje për dosjen "Gërdeci", duke u mjaftuar se çështja nuk është ndonjë "tërmet" i madh. Deklarata ironizuese është lëshuar pas insistimit të gazetarëve për të mësuar hapat që ka marrë prokuroria për ngjarjen e datës 15 marsit të këtij vitit, e cila u mori jetën të paktën 26 personave dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Shifrat, duke iu shtuar edhe shkatërrimi i 300 shtëpive, duket se nuk i mjaftojnë kryeprokurores për të bërë një hetim të shpejtë dhe për të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e kësaj katrahure në territorin e Republikës së Shqipërisë. Përpos kësaj, hetimi i akuzës qendrore duket se ka ngelur në vendnumëro, pasi grupi i 16 hetuesve ka kryer gjysmën e veprimeve të Prokurorisë së Tiranës, e cila brenda 10 ditëve arriti të arrestonte tre persona, ndërsa tre të tjerë janë nën hetim. Madje, hetuesit e akuzës kryeqytetase kanë zbuluar edhe prova që implikojnë personat me imunitet, kryesisht për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin dyshohet se ka shpërdoruar detyrën. Me gjithë faktet e servirura nga akuza kryeqytetase krejt e kundërta ka ndodhur në zyrën e akuzës qendrore, e cila e ka marrë "lehtë lehtë" zbulimin e shkaktarëve që solli tragjedinë. Vartësit e Ina Ramës kanë verifikuar materialet e ardhura nga policia gjyqësore dhe kanë filluar një analizë, për të cilën deklarojnë se do të jetë e "thellë". Megjithëse kaloi një muaj nga ngjarja e rëndë, thellimi apo marrja nën hetim e personave të tjerë është "harruar". Burimet nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm deklarojnë se faza e dosjes është rimarrja në pyetje e të gjithë "protagonistëve" që kanë firmosur Gërdecin, por ndryshe nga Prokuroria e Tiranës ende nuk janë rimarrë në pyetje zyrtarët dhe ish-zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Nga ana tjetër, dje kryeprokurorja deklaroi se "grupi hetimor po vijon me hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje". Por nuk pranoi të jepte detaje të tjera. Anëtarët e grupit hetimor të çështjes së "Gërdecit" deklarojnë se kanë marrë urdhër që të mos japin detaje, duke u shprehur se "mund të marrim kë të duam në pyetje, si ta duam dhe kur ta duam". Kjo "mendjemadhësi" e organit të akuzës reflekton në vijimin e hetimit të çështjes, ku, megjithëse kanë kaluar 32 ditë nga ngjarja, ende nuk është zbuluar shkaku i vërtetë i shpërthimit masiv të armatimeve që ndodheshin në depon në fshatin Gërdec, në periferi të Tiranës. Enigmat e shumta të kësaj dosje ende nuk janë zbardhur. Rruga që po ndjek dosja "Gërdeci" në Prokurorinë e Përgjithshme i ngjason një tjetër dosjeje që ndodhet prej disa muajsh në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Burime nga akuza deklarojnë se për dosjen e rrugës Durrës-Kukës ende nuk është vendosur marrja ose jo i pandehur ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Sipas kryeprokurores Ina Rama, në lidhje me çështjen e Gërdecit, informacionet do të jepen në kohën dhe momentin e duhur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›