E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes tifozëve në Serbi, një i vdekur

Një person është qëlluar për vdekje dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë një përplasjeje ndërmjet dy grupimeve të tifozerive rivale në Serbi. Incidenti është bërë publik nga policia e vendit ballkanas. Sherri, që ka shpërthyer ndërmjet mbështetësve të Partizanit të Beogradit dhe atyre të Vojvodina Novi Sad, ka ndodhur në orët e vona të së hënës, në një fshat pranë qytetit verior. Forcat e rendit saktësuan se një tifoz i Partizanit ka qëlluar me pistoletë, duke i marrë jetën një tifozi të Vojvodinës. Nga përleshjet janë plagosur disa persona, ku njëri prej tyre është në gjendje mjaft të rëndë. Incidentet u shoqëruan me sherre të dhunshme në rrugët e Novi Sadit, përpara fillimit të ndeshjes së parë të kampionatit ndërmjet Vojvodinës dhe Partizanit. Tifozi, i cili ndodhet në rrezik për jetën në spital, është plagosur me thikë. Ende nuk është zyrtarizuar numri i saktë, por policia bëri të ditur se disa dhjetëra prej pjesëmarrësve në incident janë arrestuar. Sherret ndërmjet grupeve të organizuara të huliganëve janë shndërruar në një fenomen të zakonshëm në Serbi. Këto grupime shpeshherë janë manipuluar nga partitë nacionaliste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›