Gjirokastër, premtimet e reja të Berishës
Gjirokastër- Në ndalesën e tij në qytetin jugor, kreu i qeverisë, Sali Berisha ka derdhur një lumë premtimesh. Berisha ka deklaruar se do ta bëjë zonën muzeale, një zonë të gjallëruar, ku do të ketë aktivitete, institucione dhe jeta do të rrjedhë normalisht. Premtim, që banorët gjirokastritë e mbajnë mend mirë, pasi është bërë edhe herë të tjera, por që deri më sot nuk ka gjetur zbatim.
Sipas tij, shtëpia e shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të kthehet në muze kombëtar e bashkë me të edhe shtëpia e gjuhëtarit, Eqerem Çabej. Berisha ka premtuar se gjithçka do të marrë udhë së shpejti për t’i bërë këto dy shtëpi të vizitueshme nga shumë të interesuar.
“Shumë shpejt do të kemi të ngjitur në zonën muzeale edhe Korpusin Universitar”- ka thënë më tej Berisha, i cili gjatë inspektimit të punimeve me vlerë 1.2 milionë dollarë në pjesën muzeale të qytetit ka premtuar rikthimin e një pjesë të mirë të institucioneve pikërisht në këtë zonë për t’i kthyer asaj gjallërinë dhe jetën.
Aktualisht, ka përfunduar pjesa e parë e rikonstruksionit të shtëpisë së Kadaresë, me fondin 10 milionë lekë të rinj, akorduar nga ministria e Kulturës. Pritet lëvrimi i fondit të dytë për përfundimin e plotë të punimeve të shtëpisë. Vlen të theksohet se fillimisht u premtua se shtëpia e shkrimtarit do të kthehej në bibliotekë ndërkombëtare, ndërsa sot nga goja e kreut të qeverisë ka dalë një tjetër premtim, për një tjetër destinacion të saj.
Për shtëpinë, e gjuhëtarit Çabej pritet të fillojnë së shpejti punimet për rikonstruksionin. Kjo është një nga 6 banesat e para ku do të ndërhyhet me fondin 1.2 milionë dollarë të dhënë nga qeveria.
Berisha inspektuar punimet e rrugës Kardhiq-Delvinë, ka inauguruar fillimin e punimeve të ujësjellësit të fshatit Mashkullorë si dhe nënstacionin e ri elektrik të qytetit të Gjirokastrës.
Në Dervician, ka bërë një takim me minoritarët, ku u ka premtuar investime për përmirësimin e jetës së tyre. “Unë kam qenë dhe jam pro dyshtetësisë, por dëshira ime është që djemtë dhe vajzat tuaj të rikthehen në Dropull dhe ndaj qeveria po ndërhyn dhe po investon për tua përmirësuar sa më shumë jetën”- ka thënë para tyre, ai, duke garantuar se çdo projekt që do paraqitet për infrastrukturën do të miratohet nga qeveria, pasi boshti i jugut është tepër i rëndësishëm.