Rama në Vlorë, SOS teksteve alternative
Vlorë- Marrja e ideve konkrete nga vetë qytetarët ka qenë në qendër të takimit të kreut të PS-së, Edi Rama me banorë e arsimtarë të Vlorës, në kuadër të turit Dialog me Shqipërinë. Diskutimi i radhës në fazën e dytë të këtij dialogu ka qenë arsimi dhe Rama është ndalur gjatë te tekstet shkollore.
“Cilësia mizerabël e tyre, mungesa e trajnimeve në lidhje me përgatitjen e tyre, apo edhe shkëputja nga boshti i programit, janë çështje që shqetësojnë jo pak. Kemi dëgjuar se do të hiqet dorë nga tekstet alternative dhe kjo duhet trajtuar me kujdes. Nuk arrihet dot të garantohet nxënia e plotë e dijeve që nxënësi duhet të marrë dhe zgjidhja për këtë nuk është një tekst i vetëm, pasi alternativat janë zgjidhje brenda procesit të demokracisë së lirë. Ne e kemi plotësisht të mundur ta kthejmë këtë në një avantazh për të rritur cilësinë e mësimdhënies”- tha Rama.
Ai ka kujtuar se tekstet sot bëhen pa pasur parasysh si është programi për një vit më parë dhe një vit më pas. Ashtu sikundër ndodh që këto tekste kanë edhe gjëra të çuditshme. Ku një fëmije që ka lindur në pranverë i thuhet se ti ke lindur në dimër, pasi ne tekst dimri përbëhet nga janari, shkurti e marsi.
“Me këto po dekurajohen nxënësit, po dekurajohen prindërit, po dekurajohet sistemi, si duket se nuk ka standarde. Cilat janë kriteret e vlerësimit për të. Shqipëria nuk ka sot një zyrë, një adresë ku bëhet seleksionimi i teksteve alternative”- tha më tej kreu i PS-së, duke shtuar kriteri i përzgjedhjes së tyre është tërësisht i paqartë.
Sipas tij, procedura si veprohet aktualisht është e turpshme. Shkohet në një seminar ku lexohet vetëm 30%-shi i tekstit dhe miratohet pavarësisht se pjesa tjetër nuk njihet. Kjo është njësoj si vera, ku provohet pak për të parë nëse vera është në rregull.
Për të mos ardhur më pas te universiteti, i cili sipas Ramës, është i masakruar në një fabrikë diplomash, diploma të cilat janë më shumë iluzionesh të humbura, pasi ata që hyjnë në universitetin me dyer të hapura, kalojë më pas në radhën e gjatë të të papunëve.
“Së bashku për të shkruar një histori të re për arsimin”- ka mbyllur fjalët e tij Rama në takimin e zhvilluar me punonjës së sektorit të arsimit në Vlorë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste.