E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm kuqezi, dëmtohet sulmuesi Salihi

Sulmuesi dëmtohet në stërvitje. "Kujtova se theva këmbën, por për fat të mirë nuk rezultoi ashtu"

Dëmtohet rëndë në stërvitje sulmuesi i talentuar i kombëtares, Hamdi Salihi. Lajmin e bën të ditur për "Sportin shqiptar" vetë futbollisti shkodran, i cili flet për atë çfarë i ndodhi në seancënsë premtes të Riedit. Një lajm shumë i keq ky për kombëtaren, sepse të shtunën tjetër do të luhet ndeshja eliminatore me Hungarinë, dhe nuk dihet nëse 24-vjeçari do të jetë i gatshëm. Tejet i mërzitur, golashënuesi shqiptar tregon në linjë telefonike nga Austria për momentin e keq. "Ende jam i habitur për atë çfarë më ndodhi. Ishte një kërcim me kokë dhe kavilja më kërciti shumë keq. Si mua, ashtu edhe shokëve të ekipit, aq më shumë atij që më markonte, direkt na shkoi mendja për një thyerje të këmbës. Ishte një çast që nuk dua ta shkoj nëpër mend, por pas grafisë që bëra sot (dje), shyqyr Zotit rezultoi që ishte një ndrydhje e kaviljes. U qetësova për momentin, por kur mendon që ke ndeshjen me kombëtaren afër, mërzitja është e madhe. Mjekët e ekipit më kanë thënë që duhet të rri të paktën katër ditë pushim. Tani duhet të bëj gjithçka me stafin mjekësor, që deri ditën e ndeshjes me Hungarinë të jem i gatshëm. Jam shumë i çuditur për faktin se ishte një dyluftim pa pretendime. Megjithatë, futbolli ky është, nuk ke çfarë t'i bësh,"- tregon Hamdi Salihi. Ai duhet të luante dje me Riedin në ndeshjen me Matersburgun, ekipit që gjithnjë i ka shënuar. "Ajo që më shqetëson më shumë, është ënjtja e kaviljes. Kjo më bën disi pesimist dhe nuk di çfarë të them. Më ngelet vetëm të shpresoj,"- shprehet sulmuesi, që do t'i bashkohet kombëtares të hënën në Budapest, kur dhe nis grumbullimi për ndeshjen me Hungarinë. Në këtë fundit do të mësohet më shumë për gjendjen e shkodranit.

Golashënuesi kuqezi, Hamdi Salihi, flet për sfidën me Hungarinë. Sipas tij, duhet guxuar për më të mirën

"Pse jo, të mbajmë vendin e parë në grup"

Duke lënë pas dëmtimin, Hamdi Salihi u përgjigjet me mirësjellje pyetjeve në lidhje me ekipin kombëtar. Për golashënuesin, ndeshja e rëndësishme në transfertë me Hungarinë kërkon guxim për të arritur një rezultat pozitiv. Sulmuesi kuqezi është ambicioz, kur ndër të tjera thotë: "Të gjithë mund ta quajnë të përkohshëm vendin e parë në grup, por unë kam një bindje që do të jemi në krye edhe pas ndeshjes me Hungarinë." Për më tej, ja si u shpreh për "Sportin shqiptar" futbollisti shkodran:

- Duke ju uruar riaftësim sa më të shpejtë, si e parashikoni ndeshjen e rëndësishme me Hungarinë?

- Për veten mund të përdor shprehjen e popullit që, gjithmonë pas një momenti të keq, vjen një gjë e mirë. Ndoshta edhe me mua ndodh kështu në ndeshjen me Hungarinë. Mendoj se është një përballje, ku ne duhet të bëjmë të pamundurën për të arritur rezultatin pozitiv. Eshtë koha të guxojmë për rezultatin. Futbolli ka të papritura, por ne duhet t'i bëjmë hyzmetin kësaj ndeshjeje, që në fund të mos themi: luajtëm keq. Hungaria është një ekip i mirë, por edhe një fitore jona nuk besoj se do të ishte ndonjë çudi. Kemi lojtarë shumë të mirë dhe e kemi treguar veten, por këtë herë duhet të japim më shumë se 100%.

- Ç'do të thotë për ju vendi i parë në grup?

- Natyrisht që kjo është një kënaqësi, të cilën unë personalisht e kam ndier kur u ktheva në Austri. E kam thënë edhe më parë, që kombëtarja është diçka shumë e rëndësishme për një futbollist. Unë për vete këtë e mësova këtu në Austri. Për të qenë i sinqertë, të gjithë mendojnë që ky do të jetë një vend i përkohshëm për Shqipërinë, duke pasur parasysh skuadrat e forta që ne kemi në grup. Këtë herë kam një bindje, se edhe pas ndeshjes me Hungarinë, do të jemi të parët. Megjithatë, ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, duke u përqendruar vetëm te Hungaria.

- Një mendim për skemën e përdorur nga trajneri Ari Han, me vetëm një sulmues të deklaruar?

- Derisa trajneri e ka aplikuar dhe ka arritur rezultate pozitive, atëherë do të thotë që varianti ka qenë i suksesshëm. Me Suedinë unë u përpoqa shumë, por ishte e pamundur të çaje. Trajneri e di më mirë, por nuk do të ishte keq që me Hungarinë të guxojmë edhe me dy sulmues, pasi natyrshëm krijohen hapësira më të mëdha për ne që luajmë në këtë repart. Sidoqoftë, e rëndësishme është që në fund të arrijmë rezultatin. Ekipit i është futur në fryma e lojës në grup dhe të gjithë futen në fushë me qëllimin për të zhvilluar një lojë kolektive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›