Gjirokastër, procesi i letërnjoftimeve, me ritme tepër të ngadalta
Qarku i Gjirokastrës është një ndër zonat ku procesi i aplikimit për kartat e identitetit po ecën me ritme mjaft të ngadalshme për të mos thënë tejet i vonuar. Sipas të dhënave zyrtare nga 22 njësi të qeverisjes vendore vetëm në 5 të tilla kanë nisur procedurat e qytetarëve për tu pajisur me dokumentin e ri identifikues.
Prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera ka pranuar se ky proces pritet të hasë në probleme për vetë faktin se do të jetë një proces i gjatë, ndërsa bën të ditur për gazetën SOT se ky proces nuk mund të mbarojë në kohë pasi Qarku i Gjirokastrës mbart një numër të lartë emigrantësh. Aktualisht procesi i kartave vijon në pesë njësi konkretisht në Bashkinë e Gjirokastrës atë të Tepelenës, Memaliaj Përmetit Këlcyrës dhe në Komunën e Dropullit të Sipërm. Deri tani sipas të dhënave zyrtare vetëm për qytetin e Gjirokastrës janë kryer 3300 aplikime nga të cilët 130 rezultojnë persona që nuk janë pajisur ndonjëherë me pasaportë ndërkombëtare. Deri tani fatmirësisht procesi në këto njësi ka vijuar normalisht përveç ndërprerjeve të herëpashershme për shkak të mungesës së energjisë apo shkëputjes së linjës së internetit. Por ende nuk bëhet e ditur se kur pritet të nisë ky proces normalisht edhe për njësitë e tjera ndërsa sipas prefektit Ksera këto zona kanë numër të ulët banorësh çka mund të nisin edhe më vonë duke hedhur në këtë mënyrë poshtë pretendimet e qeverisë mbi nisjen e aplikimit në të gjithë njësitë vendore në të gjithë vendin