Ndihma për Gërdecin, Godo i dorëzon certifikatë mirënjohjeje ambasadorit DElia
Ministrja e shëndetësisë, Anila Godo, i dorëzoi dje ambasadorit italian, Saba DElia certifikatën e mirënjohjes për ndihmën e dhënë të lënduarve në tragjedinë e Gërdecit, një vit më parë. Ministrja Godo, në një ceremoni të organizuar në Ministrinë e Shëndetësisë, i përcolli falenderimet e përzemërta ambasadës italiane, në emër të punonjësve të shëndetësisë si edhe popullit shqiptar, me anë të certifikatës së mirënjohjes.
Gatishmëria e vazhdueshme për trajtimin e të prekurve nga tragjedia e Gërdecit, që në momentet e para edhe sot, në spitalet e vendit fqinj, është një punë kolosale dhe humane, e cila meriton mirënjohjen tonë të thelle, u shpreh Godo. Ndërsa ambasadori italian DElia, nga ana e tij në emër të shtetit italian, e falenderoi ministren Godo dhe shprehu gatishmërinë në vazhdimësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fushën e shëndetësisë. Një pikë e diskutimit, ishte edhe zgjerimi dhe vënia në jetë e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2007 mes ministrisë së shëndetësisë shqiptare dhe asaj italiane, marrëveshje e cila konsiston në shkëmbimin e eksperiencave dhe trajtimin e stafit mjekësor në vendin fqinj, si edhe asistencë në nevojat e shëndetësisë sonë..