Gjirokastër, qyteti i gurtë nis investimet për kalanë e Festivalit
GJIROKASTER - Kur duhet më tepër se një muaj nga startimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, përgatitjet në kalanë e qytetit, aty ku do të performohen vlerat tradicionale mbarëkombëtare, sapo kanë nisur të ndihen. Ndërhyrja e parë është përqendruar në skenën e madhe, ku prej vitit 1968 e këtej janë përcjellë për artdashësit vendas e të huaj, motivet më të arrira të folklorit burimor shqiptar. Ministria e Kulturës është mbështetësja kryesore e këtyre ndërhyrjeve që rivijnë pas pesë vjetësh prej organizimit për të fundit herë të këtij festivali. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Spartak Drasa, ndërhyrjet kanë filluar në skenën e festivalit ku mendohet që në një periudhë pak të mëvonshme të shtrohet dyshemeja e drunjtë, pasi aktualja ndodhet në procesin e kalbëzimit. Ndërkaq që dekori i festivalit do të përgatitet nga skenografët e caktuar për të ndryshuar "look"-un e skenës dhe logon e festivalit të këtij viti. Një ndërhyrje mjaft efikase është parë edhe nëpër muret rrethues të kalasë, të cilat prej vitesh ndodhen të "pushtuara" nga bimësitë e shumta që sipas mjeshtërve të gurit gjirokastrit, janë burim potencial i deformimit të bedenave të kështjellës. Pothuajse pjesa lindore e kalasë është pastruar nga bimësitë e ndryshme dhe në pah kanë dalë gurët, ashtu siç është ndërtuar kalaja shekuj më parë. Për zotin Drasa këtë vit pjesëmarrësit në festival do të kenë në dispozicion edhe tualetet, të cilat në evenimentet e mëparshme kanë qenë të munguara. Është menduar që të instalohen kabina tualeti në zonën e poshtme të skenës së festivaleve për t'iu ardhur në ndihmë protagonistëve të evenimentit me karakter mbarëkombëtar. Festivali Folklorik Kombëtar është një aktivitet që organizohet periodikisht në Gjirokastër një herë në pesë vjet. Herën e fundit ai u organizua në 2004 dhe në të morën pjesë rreth 1 mijë festivalistë nga i gjithë vendi ndërsa kësaj here pjesëmarrësit pritet të jenë më të shumtë në numër, pasi do të marrin pjesë edhe përfaqësues të folklorit shqiptar përtej kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Një vit më parë, organizimi i festivalit u shty, pasi përkonte me 100-vjetorin e ditëlindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha. p.n