Pranga në kufi për kontrabandë
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Policia e Gjirokastrës arreston një person për kontrabandë mallrash dhe nis hetimin për një doganier. Panajot Dumi, 39 vjeç nga Tirana, është prangosur mbrëmjen e së shtunës, pasi i është shmangur detyrimit doganor për mallrat që kishte transportuar në automjetin e tij të ardhur nga Greqia. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama" se 39-vjeçari është prangosur rreth orës 18:00 të së shtunës nga ana e specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Ky shtetas rezulton të ketë hyrë përmes Pikës së Kalimit të Kontrollit Kufitar të Kakavijës rreth orës 13:00, me automjetin e tij tip "Mercedez-Benz", furgon me targë TR 4714 N, në të cilin kishte ngarkuar pajisje elektroshtëpiake si frigorifer, kondicioner, televizor, rroba dhe një sasi me copa gjysmë të gatshme që shërbejnë për qepjen e fustaneve. Në bazë të dëshmive të kryera në polici nga vetë Dumi, ky i fundit këto mallra i kishte blerë në kryeqytetin grek Athinë, dhe po i transportonte për në Tiranë. Sipas policisë, me paraqitjen në pjesën shqiptare të Kakavijës, falë lehtësisë në kontrollin doganor të një punonjësi të kësaj strukture, Dumi mundi t'i shmangej detyrimit doganor. Pasi ka kaluar Kakavijën, automjeti i mbushur me mallrat kontrabandë, është ndaluar në afërsi të fshatit Vrisera në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër nga ana e Policisë Rajonale. Kjo e fundit kishte siguruar një informacion nga Kakavija për kalimin kontrabandë të mallrave në furgonin me targa të Tiranës. Me të identifikuar mallin dhe mungesën e shoqërimit të shkresës doganore për hyrjen në Shqipëri, uniformat blu kanë arrestuar në vend Dumin për veprën penale të "kontrabandës me mallrat të licencuar". Ndërkaq policia në bashkëpunim me organin e akuzës së Gjirokastrës, po punon për zbardhjen e plotë të mekanizmit të përdorur për hyrjen e sasisë së mallrave kontrabandë përmes Kakavijës. Hapi i parë i ndërmarrë është fillimi i hetimeve për doganierin e turnit N.T., i cili ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për të saktësuar rolin e qytetarit dhe doganierit në këtë kontrabandë mallrash.