Gjirokastër, shirat dëmtojnë një aks rrugor

Nga reshjet e shumta, edhe një mur në lagjen "Cfakë" rrezikon shembjen, duke ndërprerë linjën e autobusit
GJIROKASTËR- Shirat e shumtë të ditëve të fundit në Gjirokastër kanë degraduar në mënyrë të ndjeshme një mur në lagjen "Cfakë", i cili mund të bjerë në çdo moment, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.
Gjithashtu një aks rrugor në lagjen "Partizani" për shkak të rrëshqitjeve është dëmtuar pothuaj totalisht. Banorët kërkojnë marrjen e masave, ndërsa burime nga bashkia e qyteti pohojnë se do të ndërhyhet së shpejti në të dy pikat e dëmtuara.
Mur i vjetër mbajtës në lagjen "Cfakë" për shkak të dëmtimit tepër të madh mund të bjerë nga momenti në moment. Duke qenë se aksi rrugor në të cilin ndodhet, është mjaft i frekuentuar si nga kalimtarët ashtu edhe nga automjetet, ai rrezikon të shkaktojë ndonjë aksident të mundshëm.
"Është anuar aq shumë, sa do të bjerë. Mirë të bjerë natën, po të bjerë ditën? Këtu kalojnë shumë njerëz, kalojnë fëmijët që kthehen nga shkolla dhe mund të bëhet ndonjë e pabërë. Duhet të ndërhyjnë sa më shpejt", shprehet njëri prej banorëve të lagjes.
Ndërkaq, nisur nga rreziku i madh që mbart ky mur, prej dy javësh autobusi urban nuk kalon më në këtë rrugë, duke përshkuar vetëm gjysmën e itinerarit, ndërsa banorët detyrohen ta përshkojnë me këmbë pjesën e mbetur prej ku i lë autobusi, duke e pasur edhe këtë shqetësim.
Të pyetur në lidhje me këtë çështje burime nga bashkia e qytetit kanë pohuar se po hartohet projekti për rrëzimin vullnetar të murit dhe ringritjen e tij. "Është një mur me lartësi rreth 4 metër dhe gjatësi rreth 10- 12 metër linearë, i cili si pasojë e reshjeve të fundit është shmangur nga vertikaliteti.
Grupi i specialistëve ka evidentuar në vend situatën dhe në ditët në vijim do të ndërhyjë për normalizimin e gjendjes", shprehet shefi i zyrës së shërbimeve në bashki, Dasho Sejdo. Ndërkohë, reshjet kanë dëmtuar rëndë edhe një aks rrugor në lagjen "Partizani" të qytetit të Gjirokastrës, i ndërtuar rreth 9 vjet më parë nga bashkia. Gjendja e kësaj rruge aktualisht është e pakalueshme, për shkak të shkarjes së tokës.
"Do të bëhet projekti përkatës për këtë rrugë dhe së shpejti do të nisin punimet edhe për rikonstruksionin e saj", shprehet më tej Sejdo. Gjatë këtij dimri, për shkak të reshjeve të borës dhe shiut, jo vetëm qyteti, por gjithë qarku i Gjirokastrës është përballur me situatë emergjente.