Fëmijët, sëmundjet respiratore e obeziteti më të shpeshtat
Në krye të listës ndër sëmundjet më të shpeshta, që prekin fëmijët tanë janë ato të rrugëve respiratore. Por alarmi nga specialistët ngrihet edhe për një tjetër. Obeziteti ose mbipesha po rriten ndjeshëm që në moshat e vogla. Këto ishin disa nga problematikat, që u diskutuan dje në konferencën e 11 pediatrike. “Shtimi i rasteve me obezitet ka të bëjë me ndryshimin e stilit të jetesës, që ka marrë tjetër drejtim kudo në botë. Por obeziteti ndonëse nuk sjell probleme të dukshme tek fëmijët, në moshë madhore mund të jetë shkaktar i një sërë sëmundjesh të tjera”, u shpreh drejtoresha e QSU Gjeorgjina Kuli. Ajo theksoi se janë ulur shifrat e fëmijëve të kequshqyer. Por kjo deklaratë bie ndesh me një pjesë të madhe të raporteve të UNICEF-it. Sipas tyre, rreth 14% e fëmijëve shqiptarë nuk ushqehen siç duhet. Kjo si pasojë e kushteve të vështira ekonomike. Ndonëse krerët e shëndetësisë janë munduar ta paraqesin situatën sa më të pranueshme, shifrat e OJQ-ve flasin ndryshe. Sipas raportit të UNICEF, kequshqyerja e fëmijëve nën moshën 5 vjeç ka pasoja të rënda jo vetëm për zhvillimin e tyre fizik, por edhe për zhvillimin mendor. Këta fëmijë, të cilët gjatë viteve të para të jetës nuk marrin sasinë e nevojshme të ushqimit dhe të vitaminave, që u duhen për organizmin, janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve të frymëmarrjes. Gjithashtu, sëmundje të tilla si diarreja merren më shpesh, madje jo pak fëmijë humbin jetën si pasojë e neglizhencës së vazhdueshme. Sipas të dhënave të OBSH, kequshqyerja dhe trajtimi jo i mirë shëndetësor mendohen të jenë ndër shkaqet kryesore, që në vendin tonë vdesin 2 herë më shumë fëmijë se në vendet e tjera të Evropës. Për çdo 1 000 banorë probabiliteti i vdekshmërisë të fëmijëve deri në 5 vjeç është 24 vetë. Nga ana tjetër, niveli i edukimit për rritjen e fëmijëve nga prindërit është shumë i ulët. Më e rënduar paraqitet gjendja në zonat rurale, ku mungon kultura e nevojshme për t’i ushqyer dhe trajtuar siç duhet.