Obama, kush do ta mbrojë Kosovën
"Është nënpresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, që është mbështetës i madh i Kosovës dhe ai do ketë dorë e ndikim të fuqishëm në hartimin e politikës së jashtme". Nga ana tjetër, Klinton dhe Hollbruk do të kenë ndikim në politikën e re të Obamës. Ky është komenti i James Hooper, ish-diplomatit amerikan për administratën e re të SHBA-ve lidhur me Kosovën.
Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur Barack Obaman për president, një fitore kjo e cilësuar si historike. Çfarë mund të pritet nga administrata e ardhshme amerikane në raport me Kosovën dhe rajonin në përgjithësi?
Keni të drejtë, ishte fitore historike dhe një fitore transformimi në kuptimin e lidershipit në Shtetet e Bashkuara. Lidhur me Kosovën dhe rajonin, mendoj se është e rëndësishme të mbahet në mend fillimisht se përqendrimi i presidentit të zgjedhur do të jetë më shumë në politikat e brendshme, posaçërisht në rrafshin ekonomik dhe më pak në politikën e jashtme. Së dyti, unë nuk dua të hy në lojën e parashikimeve se kush do të emërohet sekretar shteti dhe kush në pozitat e tjera. Megjithatë, në raport me politikën amerikane në Kosovë dhe Ballkan, unë nuk shoh asnjë ndryshim thelbësor. Mbajeni në mend se janë tri figura kyçe. Është nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili është mbështetës i madh i Kosovës dhe ai do të ketë dorë të fuqishme dhe ndikim të fuqishëm në hartimin e politikës së jashtme. Dhe, ai nuk do të dojë të rihapë ndonjë çështje të mbyllur, sikur është çështja e pavarësisë së Kosovës. Joe Biden nuk dëshiron ta shohë të rihapur këtë çështje. Pastaj, aty është edhe Bill Clinton, një forcë e fuqishme në kuadër të Partisë Demokratike. Richard Holbrooke gjithashtu e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe për të gjithashtu Kosova është çështje e mbyllur. Ai do të jetë një forcë e madhe dhe disa madje thonë se mund të jetë sekretar shteti, por sërish unë nuk dua ta paragjykoj këtë dhe unë nuk e di se kush do të jetë, por zoti Holbrooke do të ketë ndikim gjithashtu. Këto janë tre personalitete shumë të fuqishme në Partinë Demokratike. Zoti Holbrooke do të ketë një rol në qeverisjen e ardhshme, presidenti Klinton natyrisht që nuk do të ketë rol, por do të ketë ndikim dhe nënpresidenti Joe Biden do të ketë rol shumë të fuqishëm. Që të tre nuk do të duan fare ta rihapin çështjen e Kosovës, por të vendosin një stabilitet të qëndrueshëm.
Kosova aktualisht është duke u përballur me një presion për të pranuar planin gjashtëpikësh ?
Sinqerisht, nuk mendoj se ka ndonjë gatishmëri për të sfiduar situatën në veri. Të gjithë e dinë se në veri të lumit Ibër, territori udhëhiqet nga Serbia, administrohet nga Beogradi dhe nuk i shoh ndërkombëtarët, qofshin ata nga Evropa, Kombet e Bashkuara apo Shtetet e Bashkuara, duke e sfiduar situatën e krijuar atje. Do të doja sinqerisht të mos ishte kështu, por nuk e shoh mundësinë që kosovarët të vendosin autoritetin e tyre në veri; ndërkombëtarët thjesht nuk do ta mundësojnë një gjë të këtillë. Mund të jetë ndryshe situata në jug të lumit Ibër natyrisht, por në veri nuk e shoh si mund të ndodhë shtrirja e autoritetit, nëse ndërkombëtarët nuk janë të gatshëm të përballen me situatën.
Marrë nga Evropa e Lirë